Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për Gjykatën Komerciale

Në seancën e sotme Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Sistemit gjyqësor të Kosovës do t’i shtohet edhe një gjykatë e cila do të trajtojë çështjet të natyrës tregtare, ekonomike, fiskale.

Gjykata komerciale ka juridiksion për tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe selia e saj do të jetë në Prishtinë.

Sipas projektligjit kjo gjykatë përbëhet prej dy dhomave të cilat punojnë me 20 gjyqtarë.

Dhoma në shkallë të parë gjykon në përbërje prej 1 gjyqtari, ndërsa dhoma në shkallë të dytë vendos në kolegjin prej 3 gjyqtarësh.

Dhoma e parë do të gjykojë çështje individuale dhe do të japë ndihmën ndërkombëtare si dhe do njohë dhe ekzekutojë vendimet e huaja.

Ndërsa dhoma e dytë do të vendosë lidhur me ankesat ndaj vendimeve të dhomës së parë.

Sipas ligjit kjo gjykatë do të funksionojë me tri departamente dhe atë departamentin fiskal, ekonomik dhe të përgjithshëm, po ashtu në kuadër të kësaj gjykate do të funksionojë edhe Divizioni për shqyrtimin e kontesteve të investimeve të huaja.

Sipas ligjit në këtë gjykatë do të zgjidhen kontestet në mes shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, konfliktet administrative, kontestet ekonomike, ankesat dhe vendimet në procedurën përmbarimore.

Sipas këtij ligji me prioritet do të trajtohen rastet nga procedura e përmbarimit, falimentimit dhe arbitrazhit.

Në kompetencë të gjykatës komerciale hyjnë riorganizimi, falimentimi dhe shuarja e shoqërive tregtare, kontestet në lidhje me pengim posedimin në mes shoqërive tregtare, kontetste lidhur me pasuritë e paluejtshme ntë shoqërive tregtare, kontestet lidhur me shkleljen e konkurrencës, dominimit në treg dhe monopolit, konte stet ndërmejt kompanive të aviacionit civil duke përjashtuar kontestet e pasagjerëve.

Revizioni si mjet i jashtëzakonshëm juridik në gjykatën komerciale mund të parashtrohet vetëm ndaj kontesteve  objekti i të cilave është  mbi 1 milion euro, ndërsa kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë në kontestet tregatore pranë kësaj gjykate nuk lejohet.