Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kushtetuesja konstaton mos zbatimin e vendimeve për Manastirin e Deçanit dhe lagjen “Dardania” në Prizren

Gjykata Kushtetuese në një nga njoftimet e saj të fundit, ka konstatuar se ka moszbatim të vendimeve të Gjykatës lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit dhe atë të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Kushtetuta e Kosovës përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin si dhe për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Gjykata përmes mekanizmave të saj dhe në mënyrë periodike vlerëson zbatimin e aktgjykimeve të saj, dhe në rast të moszbatimit të një vendimi mund të lëshojë Aktvendim për mos përmbarim.

Bazuar në procedurën e ndjekur nga Gjykata lidhur me monitorimin e zbatimit të vendimeve të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se dy Aktgjykimet përkatëse lidhur më këto çështje nuk janë zbatuar dhe për pasojë është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit.

Para 4 vitesh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Banorët e Deçanit dhe zyrtarët komunalë patën zhvilluar disa protesta në vitin 2013, duke thënë se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve e jo i serbëve.

Kurse vendimi tjetër për të cilin Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk është zbatuar ka të bëjë me rastin e vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të planit detal urban në Lagjen ish Jablanicë tanimë “Dardania” në Prizren, të miratuar nga Kuvendi Komunal me 30 prill 2009.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që ta zgjasë urdhrin dhënë Kuvendit Komunal të Prizrenit që të pezullojë çfarëdo ndërtimi në vendin e mësipërm të Komunës të vitit 2009.

Me vendimin e 30 prillit të vitit 2009, Kuvendi Komunal i Prizrenit e kishte ndryshuar një vendim të mëparshëm të Kuvendit Komunal të Prizrenit të vitit 1983 për lagjen Jaglenica (tani Dardania).

Me këtë vendim të Kuvendit ishte ndryshuar vendimi i mëparshëm për ish-lagjen Jaglenica, tanimë Dardania në Prizren, në atë mënyrë që tanimë me vendimin e ndryshuar/të ri, ishte paraparë që në vend të një zone të gjelbër ekzistuese, të paraparë në Planin Detal Urban, tani më ishte paraparë ndërtimi i objekteve të larta, të planifikuara për familjet e dëshmoreve dhe për rastet sociale.

60 banorë të kësaj zone e kishin kundërshtuar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, me ç ‘rast kishin kërkuar vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë për këtë zonë, vendim të cilin Gjykata e kishte aprovuar.