Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kushtetuesja i vendos masën e përkohshme vendimit të Kuvendit për shkarkimin e 5 anëtarëve të KPMShCK-së

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masën e përkohshme deri me 15 dhjetor të këtij viti ndaj vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kështu përmes masës së përkohshme është pezulluar vendimi i kontestuar dhe Kuvendi në këto rrethana duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të rinjë deri në një vendim përfundimtarë të gjykatës.

Sipas gjykatës vendosja e masës së përkohshme nuk paragjykon pranueshmërinë ose meritat lidhur me rastin në fjalë.

Vendimi për masë të përkohshme ka ardhur pasi Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të kuvendit, kanë kërkuar pranë gjykatës që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë të vendimit për shkarkimin e 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Gjykata gjithashtu sqaroi se, duke pasur parasysh që Vendimi i kontestuar në aspekt procedural në mënyrë që të prodhojë pasoja juridike, nuk e parasheh dërgimin e tij tek Presidentja, i njëjti nuk i nënshtrohet efektit pezullues bazuar në nenin 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Megjithatë gjykata ka vlerësuar si të nevojshme vendosjen e masës së përkohshme sipas detyrës zyrtare në këtë rast.

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Me 62 vota për 3 vota kundër, 11 abstenime, Kuvendi i ka shkarkuar pesë anëtarët e KPMShCK-së.

Anëtarët e shkarkuar të këtij Këshillit deri më sot ishin: Eshref Shabani, Malsore Gashi Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehmeti dhe Ardita Haxhinikaj Demi.