Kushërinjtë nuk pajtohen as për mexhën e arës, as për gjyqtarin në sallë

Në Gjykatën e Gjilanit është mbajtur seanca për vërtetim pronësie në çështjen e paditësve- kundër të paditurve Fatmir, Sabit dhe Xhemajl Shabani, në njërën anë dhe të paditurve Haqif, Emine, Ali, Arben, Ilir, Sadbere, Feime, Naime, Makfire, Minivere dhe Shqipe Shabani.

Të dy palët në procedurë janë familjarë të afërm mes vete.

Ky kontest gjyqësor sipas palëve në procedurë (Ali Shabani), është i ndikuar dhe kundër paditësja Emine Shabani ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Venhar Salihu nga ky rast 5 herë me radhë por nuk ka arritur t’i bindë organet kompetente për këtë pretendim.

Andaj Emine Shabani kishte shkuar edhe më larg me kërkesat e saj. Ajo më 17 tetor 2019 kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që Kryetari i Gjykatës së Gjilanit të mos vendosë për kërkesën e saj.

Megjithatë, kjo kërkesë ishte refuzuar nga Apeli.

Përfundimisht, Kryetari i Gjykatës së Gjilanit më 1 dhjetor 2019, e kishte refuzuar kërkesën e Emine Shabanit.

Nga seanca e fundit, pas matjeve gjeodezike,  të paditurve u ishte dërguar procesverbali i seancës dhe ekspertiza gjeodezike por të paditurit Haqif, Emine, Ali, Arben, Ilir, Sadbere, Feime, Naime, Makfire, Minivere dhe Shqipe Shabani, nuk e kishin pranuar atë nga dorëzuesit të Gjykates dhe të njëjtit nuk morën pjesë në seancën e sotme.

Emine Shabani përsëri kishte dërguar disa parashtresa gjatë muajit shkurt 2020 ku kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të çështjes duke pasur vërejtje në ekspertin gjeodet i cili e kishte përpiluar një ekspertizë gjeodezike, me të cilën nuk ishin pajtuar asnjë nga palët në procedurë.

“Gjykata konstaton se në lidhje me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes dhe kryetarit të Gjykatës për të vendosur lidhur me të është vendosur disa herë (si e pa bazuar), dhe për këtë arsye nuk e shohim të arsyeshme të ndërpresim shqyrtimin për të vendosur lidhur me këto kërkesa”, tha gjykatësi Venhar Salihu.

Seanca e sotme filloi me tensione në mes palëve. Përkundër thirrjes së gjyqtarit Venhar Salihu që palët të gjejnë kompromis dhe të vijnë deri te një pajtim i mundshëm, kjo gjë ishte e papranuar për palët në procedurë. Në vazhdim të shqyrtimit palët i dhanë versionet e tyre të ngjarjes duke mos u pajtuar në asnjë propozim të njëri-tjetrit.

Tutje në seancë u dëgjua dëshmitari Selver Morina, i cili tha se arsyeja se pse gjendet në gjykatë është për të treguar vetëm atë që e di.

“Në pronën time që është në mexhë me ta (palët në procedurë) jam që nga viti 1969 dhe vetëm rruga na ndan. Këta kanë ardhur aty nëse s’jam gabim dikun 3-4 vite pas nesh, derisa kanë qenë duke e punuar token bashkë aty kanë mbjellë duhan e gjithçka tjetër bujqësore. Më vonë janë nda, gjysmën e asaj prone-anën e poshtme kanë qenë Xhemajl Shabani dhe Sabit Shabani, prejë gjysmes e te naltë një pjesë e kanë pasur Shaip Shabani i cili ka vdekë dhe ka lënë shumë fëmijë por emrat nuk ua di. Pjesa e epërme-skajshme ka qenë e Haqifit të cilën e ka punuar deri vonë”, tha dëshmitari Selver Morina.

Dëshmitari gjithashtu tha se sipërfaqet e punuara kanë qenë të barabarta dhe nuk mundet ta dijë saktë sipërfaqen e tyre.

“Gjysma e poshtme e asaj prone që ka qenë e Xhemajlit dhe e Sabitit, kurrë nuk ka qenë e ndame, kurse dy pjesët tjera kanë qenë të ndamë. Ndarja ka qenë e kufizuar me gurë qysh ka qenë adet përpara. Unë e di se palët ktu që janë i kanë dy ara, pjesa më e madhe ka dalje në rrugë por nuk e di sa sipërfaqe ka, kurse ara e dytë është prapa saj dhe kalon nëpër arën e madhe për të dalë në rrugë. Ara e cila gjendet pas arës kryesore nuk e di se si e kanë punuar palët qe janë këtu”, tha në fund dëshmitari Morina.

Dëshmitari i dytë në seancë Rexhep Baxhuku tha se palët në procedurë i ka në mexhë te parcelat kontestuese.

“Unë jam ngjitur me arën e Haqifit që nga viti 1965, ajo nuk është vetëm e tij por edhe e vëllëzerve të tij. Ara e ngjitur me pronën time në terren është e ndame por nuk e di se në sa pjesë. Se ara është e ndame e di prej Haqifit. Nuk e di sipërfaqen të cilën e ka shfrytëzuar Haqif Shabani”, tha dëshmitari Baxhuku.

Në maj të vitit 2015, Sabit dhe Fatmir Shabani nga Gjilani i kanë paditur Haqif Shabanin, Xhemajl Shabanin dhe Emine Shabanin në bazë të ndarjes së bashkëpronësisë.

Sipas aktpadisë, palët ndërgjyqësore e kanë ndarë pasurinë e tyre  në terren por bashkëpronësia ka qenë e pashkëputur. Tutje sipas padisë, propozuesi në procedurë jokontestimore ka kërkuar nga të paditurit që ta bëjnë ndarjen e bashkëpronësisë.

Padia në vazhdim sqaron se duke pasur parasysh se paditësit dhe të paditurit janë të regjistruar si bashkëpronarë të ngastrave kontestuese e të cilat i kanë trashëguar më herët, ata i kishin të ndara këto ngastra në terren nga koha e hyrjes në posedim të njëjtave.

Tutje, sipas shkresave te lëndës të cilat i ka siguruar KALLXO.com, të paditurit në këtë rast më 9 janar 2018, kanë ushtruar kundër padi ndaj paditësve Sabit Shabani, Fatmir Shabani dhe Xhemajl Shabani, duke kërkuar anulimin e padisë dhe vërtetimin e kundërpadisë.

Pas përfundimit të orarit të punës në gjykatë, seanca u shty për 17 mars.