Zyhdi Haziri. Foto: Gjykata Themelore në Gjilan/Facebook

Kush është Zyhdi Haziri, gjyqtari nga Gjilani i zgjedhur anëtar në Gjykatën e Apelit?

Zyhdi Haziri, i cili është gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën e Gjilanit, në mbledhjen e fundit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2020, është avancuar në detyrë duke u zgjedhur anëtar i Gjykatës së Apelit.

Haziri është lindur më 20.10.1960, në Gjilan. Fakultetin Juridik e ka kryer në Prishtinë në vitin 1989. Nga viti 2000 deri në prill të vitit 2004 ka qenë administrator i Gjykatës së Qarkut, ndërkohë prej prillit të vitit 2004 deri në vitin 2010 ka punuar si gjyqtar i Gjykatës Komunale në Gjilan.

Nga viti 2010 ai u emërua gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan ku pas pesë muajve është zgjedhur kryetar i asaj Gjykate. Me ndërrimin e sistemit gjyqësor, Haziri më 01.01.2013 deri më 31.12.2016 ka ushtruar pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan. Aktualisht ushtron edhe detyrën e anëtarit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Zyhdi Haziri, në Gjykatën e Gjilanit ka gjykuar shumë lëndë të natyrave të ndryshme, që nga vrasjet e rënda, vrasjet, vrasjet në tentative, pastaj veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare e shumë të tjera.

Ndër rastet e njohura të cilën e ka gjykuar Zyhdi Haziri është edhe rasti i shënjestruar për liberalizim të vizave ku Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, Fatos Ahmeti, Gëzim Abazi, Fatmir Statovci, Zeqir Berisha, Lutfi Nebiu dhe Amir Sherifi akuzoheshin për organizim të grupit kriminal dhe transport të narkotikëve për Turqi dhe atë në sasi prej 824 kg e 706 gram. Këtë rast Haziri e kishte vendosur më datën 16 korrik 2019, dhe i cili nga Gjykata e Apelit ishte vërtetuar pjesërisht, duke u kthyer në ri-gjykim vetëm për dy nga të akuzuarit.

Një rast tjetër të cilin Zyhdi Haziri është duke e gjykuar është edhe ai për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku akuzohet inspektori nga Kamenica, Sadullah Dërmaku.

Rasti i Inspektorit nga Kamenica aktualisht është në proces pasi që nga Gjykata e Apelit ishte kthyer në ri-gjykim 4 herë radhazi. Për herë të fundit lidhur me këtë rast Zyhdi Haziri ka vendosur më 26 qershor 2020, duke e dënuar atë me 15 muaj burg, 300 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksionit për dy vite pas mbajtjes se dënimit me burgim.

Rasti më i freskët të cilin në shkallë të parë e ka gjykuar Zyhdi Haziri është rasti ku edhe ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm.

Nuhi Mavrovqani, burri nga Kamenica i cili nga Prokuroria e Gjilanit akuzohej për vrasjen e gruas së tij nga trupi gjykues i udhëhequr nga Zyhdi Haziri më 04 dhjetor 2020, u dënua me burgim të përjetshëm.

Mandati i Zyhdi Hazirit në Gjykatën e Apelit nis nga 1 janari 2021.