ARKIV - Homazhet në nderim të Astrit Deharit - Foto: KALLXO.com

Kush është prokurori të cilit iu besua hetimi i rastit Dehari!

Misteri i vdekjes së Astrit Deharit tashmë është në duart e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Hetimet për vdekjen e paqartë të Deharit pritet që t`i drejtoj prokurori Special Afrim Shefkiu.

Shefkiu deri më tani njihet si prokurori i cili akuzoi ish-komandantë dhe pjesëtarë të UÇK-së në rastin e fryrjes së listave të veteranëve.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demalijaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Shefkiu poashtu ka akuzuar edhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zekën, për mashtrim me viza, shpëlarje parash e shmangie tatimi.

Një ndër rastet tjera të cilin e përfaqëson ky prokuror është edhe ai i Granit Elshanit nga Peja, i njohur nga rasti i konfliktit disa vjeçar në mes të dy familjeve, asaj Elshani dhe Kelmendi nga Peja, ku kanë mbetur të vdekur 23 persona që nga paslufta.

Nga sot, një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përfolura pas luftës në Kosovë e cila nuk u zbardh për gati 3 vite, i është besuar prokurorit Special, Afrim Shefkiu.

Rasti Dehari u rihap përsëri pas arritjes së raportit nga Zvicra i cili nuk përjashtoi mundësinë e vrasjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari.

Pas pranimit të këtij raporti Prokuroria e Prizrenit kishte deklaruar se nevojitet një hetim i ri për të qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Mirëpo ishte Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi i cili sot e mori këtë rast dhe ia delegoi për hetime u. d. kryeprokurorit Special Afrim Shefkiu.

Arkiv – Prokurori Special, Afrim Shefkiu i pari majtas

Kush është Afrim Shefkiu?

Afrim Shefkiu aktualisht është ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Emri i tij u bë i njohur për publikun në kohën kur deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka kishte deklaruar se do ta ndjekë “penalisht e me kanun”, prokurorin Afrim Shefkiu, pasi ky i fundit kishte përpiluar aktakuzën për mashtrim me viza pune, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave ndaj Milaim Zekës, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliut.

Për mashtrim me viza puna, shpëlarje parash, shmangie nga tatimi në vlerë mbi 1 milion euro, me një aktakuzë 100 faqëshe prokurori Shefkiu kishte akuzuar edhe Flamur Hoxhën dhe Besim Rexhajn.

Përpos këtyre rasteve, atij iu kishin besuar edhe raste të tjera të mëdha.

Pas dorëheqjes së prokurorit special Elez Blakaj, rasti “Veteranët e Rrejshëm”, kishte rënë në duart e Afrim Shefkiut.

Një aktakuzë voluminoze ishte ngritur nga prokurori Shefkiu edhe kundër gjashtë personave nën dyshimet se po përgatisnin sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës.

Këto sulme sipas aktakuzës kishin për t`u bërë ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në Kishën Ortodokse në Mitrovicën veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Epilogu i kësaj aktakuzë nga Gjykata e Prishtinës ishte 25 vite burgim për gjashtë të akuzuarit.

Aktakuzë për vepra që ndërlidhen me terrorizëm ky prokuror kishte ngritur edhe kundër Bledart Elshanit, i cili dyshohet se kishte postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me mbishkrimin: “Do të ju vijë fundi o taguta shqiptarë bi’idhnilahë”.

Gjykimin ndaj Bledart Elshanit, Gjykata e Prishtinës e kishte mbyllur me 20 muaj burgim.

Rast tjetër madhor të cilin aktualisht është duke e përfaqësuar ky prokuror është edhe vrasja në diskotekën e Pejës, për të cilën po akuzohet Granit Elshani, pjesëtari i familjes Elshani të cilët janë në hasmëri me familjen Kelmendi nga Peja.

Sipas Prokurorisë Speciale hasmëria mes familjeve Kelmendi dhe Elshani ka rezultuar me 29 sulme, 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit.

Afrim Shefkiu tani ka një punë të vështirë, zgjidhjen e dilemave dhe paqartësive të vdekjes së Astrit Deharit.

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Ekspertiza e këtij Instituti e cila erdhi në tetor të vitit 2019, nuk e përjashtoi mundësinë e vrasjes, dhe i hapi rrugë një hetimi të ri penal.