Kush është Fergal Gaynor, gjyqtari i ri i Speciales

Në prag të fillimit të gjykimit të rasteve të para në Gjykatën Speciale, Dhomave të Specializuara të Kosovës i janë shtuar edhe gjashtë gjyqtarë të rinj.

Emërimi i tyre e ka dërguar në njëzet e tre numrin total të gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara.

Në mesin e gjyqtarëve të rinj të kësaj gjykate është edhe Irlandezi, Fergal Gaynor.

Gaynor është person me njëzet e dy vite përvojë pune në çështje juridike, prej të cilave tetëmbëdhjetë vite përvojë i ka në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Ai ishte anëtari kryesor i ekipeve që hetoi dhe ndoqi penalisht udhëheqësit serb të Bosnjës, Radovan Karadziq dhe Momqilo Krajisnik, dhe në disa raste të tjera në Tribunalin e Hagës për Jugosllavinë. [1]

Përpos tribunalit për Jugosllavinë, Gaynor ishte emëruar si bashkë-prokuror rezervë ndërkombëtar i gjykatës ndërkombëtare të ngritur për të gjykuar anëtarët e Khmer Rouge për krimet e pretenduara të luftës në Kamboxhia.

Ai punoi edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën për më shumë se një dekadë si dhe shërbeu gjithashtu si këshilltar ligjor në Komisionin Ndërkombëtar të pavarur të hetimeve të KB në Bejrut.

Karriera e tij ligjore filloi më 1997 kur ai u pranua si avokat praktikant në Freshfields Bruckhaus Deringer në Angli. Ai u punësua nga firma në 2001 për të punuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY).

Emërimi i gjykatësve të rinj është bërë në ditën kur OVL e UÇK-së njoftoi se ka pranuar draft-aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e personave të tjerë.