Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Kthehet në plotësim aktakuza ndaj ish-drejtorit të Komunës së Mitrovicës Veriore

Aktakuza ndaj Branisllav Klajiqit, ish-drejtorit për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës Veriore, i akuzuar për keqpërdorim të detyrë zyrtare, është kthyer në plotësim. Kjo bëri që seanca gjyqësore ndaj Klajiqit të mos mbahet të hënën në Gjykatën e Mitrovicës.

Gjykatësi Bekim Veliqi njoftoi se gjykimi do të fillojë pas plotësimit të aktakuzës nga Prokuroria.

“Gjyqtari vlerëson se aktakuza përbën shkelje në përshkrim faktik dhe ne vlerësojmë që Prokurorisë t`i drejtohemi me parashtresën për plotësim, precizim dhe korrigjim të aktakuzës në afat të caktuar, në mënyrë që në afat pa shtyrje të procedojmë me seancën e shqyrtimit fillestar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndryshe, Prokuroria e Mitrovicës akuzon Branisllav Klajiqin se prej vitit 2013 e tutje, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës Veriore, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër.

Sipas aktakuzë, pasi i dëmtuari Izet Maxhera, në vitin 2012, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kishte blerë një lokal afarist “Teuta Bare”, në rrugën “Ivo Lola Ribar”, e cila gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, kishte bërë kërkesë në Zyrën kadastrale të kësaj Komune për të regjistruar pronën dhe pasi nuk kishte marrë përgjigje i ishte drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) për regjistrimin e pronës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, AKK-ja kishte sjellë konkluzion se Drejtoria për Kadastër në Komunën e Mitrovicës Veriore kishte bërë heshtje administrative në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të drejtave të pronësisë së paluajtshme.

Kurse i pandehuri Branisllav Klajiq nuk e kishte zbatuar vendimin e AKK-së dhe të dëmtuarit Izet Maxhera i kishte shkaktuar dëm në vlerë prej 67.061,22 euro.

Me këtë, Klajiq akuzohet se ka kryer veprën penale -keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.