Zenun Elezaj, AAK, Klinë. Foto: Kallxo.com

Kryetari i Klinës nesër në gjyq për akuzën për punësim të vajzës

Kryetari i Komunës se Klinës, Zenun Elezaj, pritet të dalë nesër para Gjykatës së Pejës, për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë për korrupsion.

I pari i Komunës se Klinës po akuzohet për veprën penale të konfliktit të interesit.

Aktakuza ndaj Elezajt është ngritur në tetor të këtij viti.

Aktakuzë ndaj kryetarit të Klinës për punësimin e vajzës

Prokuroria e Pejës po pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosja e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Në një opinion ligjor të AKK-së dhënë për Prokurorinë e Pejës thuhet se Kryetari i Komunës përjashtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes se tij ka interes personal apo financiar.

Kryetari i Klinës në dëshminë e tij të dhënë para organit ndjekës ka deklaruar se në momentin kur ka kuptuar se vajza e tij ka aplikuar për mjeke në atë konkurs, vullnetarisht e ka përjashtuar veten nga vendimmarrja dhe procedurat administrative.

“Për këtë rast gojarisht e kam njoftuar, nënkryetarin e Klinës dhe udhëheqësin e zyrës se personelit”, ka deklaruar Zenun Elezaj.

Zenun Elezaj është zgjedhur kryetar i komunës së Klinës në zgjedhjet e vitit 2017 si kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).