Haki Rugova para Gjykatës - 23.10.2019

Kryetari i akuzuar i Istogut Haki Rugova ballafaqohet me dëshmitarët në Gjykatë

Haki Rugova, kryetar i Istogut, është ballafaquar sot para Gjykatës në Pejë me aktakuzën e Prokurorisë për veprën penale konflikt interesi.

Ky proces gjyqësor ndaj tij po shkon drejt përfundimit, sot para trupit gjykues palët në procedurë dhanë fjalën hyrëse, si dhe u dëgjuan 6 persona në cilësinë e dëshmitarëve.

Prokurori i rastit Ali Uka, në fjalën hyrëse tha se aktakuza është e bazuar, duke specifikuar provat që e arsyetojnë sipas tij dyshimin se i akuzuari Haki Rugova ka kryer veprën penale për të cilën e ngarkon Prokuroria e Gjakovës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Haki Rugova, avokati Besnik Berisha në fjalën hyrëse tha se nuk është kontestuese se kontrata e lidhur mes Komunës se Istogut dhe subjektit juridik “MA-CON”, mban nënshkrimin e Haki Rugovës, por që sipas Berishës ky nënshkrim është në tërësi i panevojshëm ligjërisht duke mos i dhënë asnjë efekt kontratës se nënshkruar nga zyrtarja e prokurimit.

Ndërsa përfaqësuesi i Komunës si palë e dëmtuar, Adem Avdijaj tha se komunës së Istogut nuk i është shkaktuar dëm, me arsyetimin se nuk ka pasur shkelje procedurale në procedurën e tenderimit që është objekt i kësaj vepre penale.

Andaj i njëjti nuk ju bashkangjit ndjekjes penale dhe nuk kërkoi dëmshpërblim.

Menaxherja e Zyrës se Prokurimit në Komunën e Istogut, Zize Bujupaj tha se kontrata është dashur të nënshkruhej vetëm nga ajo dhe operatori fitues i tenderit, por që sipas saj kontrata aksidentalisht i është dërguar kryetarit të Komunës për nënshkrim.

Ajo tha se me rastin e kërkimit të një sqarimi nga Komisioni i Prokurimit lidhur me atë se pse kontrata mban nënshkrimit e kryetarit Haki Rugova, përgjigja e Komisionit qëndronte në atë se nuk është i rëndësishëm fakti që kontrata përmban nënshkrimin e kryetarit, meqenëse sipas tyre nënshkrimi i tij nuk ka fuqi juridike me arsyetimin se si palë në procedurë ishte Komuna e Istogut që përfaqësohej nga dëshmitarja Bujupaj si menaxhere e Zyrës së Prokurimit dhe operatorit ekonomik fitues (MA-CON Sh.P.K.- pronë e Gani Rugovës – vëllai i Haki Rugovës)

Ajo shtoi se kontrata është bërë e plotfuqishme dhe e ekzekutueshme në momentin e nënshkrimit nga ana e saj.

Anëtarët e Komisionit vlerësues të tenderimit, Naser Gjocaj, Sylë Maksutaj dhe Rrustem Gashi thanë se tenderin e ka fituar kompania “MA-CON”, dhe se i tërë procesi ka qenë pa ndërhyrje nga brenda apo jashtë.

Ndërsa vëllai i të akuzuarit njëkohësisht fituesi i tenderit, Gani Rugova u lirua nga obligimi për të dëshmuar.

Avokati Berisha kërkoi që deklarata e dëshmitarit Gani Rugova e dhënë në Prokurori të shpallet provë e papranueshme meqenëse sipas tij është marrë në kundërshtim me ligjin.

Trupi gjykues me kryetar Sylë Lokajn për këtë propozim do të vendose me aktvendim të posaçëm.

Avokati Berisha poashtu i propozoi Gjykatës që në cilësi të provës përkatësisht si provë në këtë shqyrtim gjyqësor të administrohet ekspertiza e ekspertit të prokurimit Besim Mulaj.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (Vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personi juridik qe ka të bëjë më të

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Haki Rugova ulet në bankën e të akuzuarit

Seanca e radhës është caktuar të  mbahet me datë 10 dhjetor 2019.