Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, Foto: KALLXO.com

Kryesuesi i KGJK-së thotë se ka pasur gjyqtar që për 12 vjet nuk i është nënshtruar vlerësimit të performancës

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se ka pasur gjyqtarë nuk i është nënshtruar procesit të vlerësimit për vite të tëra.

Zogaj në emisionin “KallxoPernime” ka thënë se ka pasur rast kur që nga emërimi i një gjyqtari në vitin 2010 në pozitën e tij e deri në vitin 2022 nuk ka pasur proces të vlerësimit të performancës.

“Dhe kishte gjyqtar që nga vitit 2010 deri ne vitin 2022 nuk e ka bo performancën, ishte i harruar nga sistemi”- tha Zogaj.

Kryesuesi ka treguar se para vitit 2021 sistemi i vlerësimit ka qenë i shthurur.

“Performanca ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë për me vendos rend në sistemin e vlerësimit, ishte i shthurur në vitin 2021, ne nuk kemi pasë as dosje të gjyqtarëve kush e ka performacën”- tha Zogaj.

Sipas tij, ky lloj vlerësimi deri në vitin 2021, që sipas tij nuk ishte i duhuri, nuk ka ofruar stabilitet dhe siguri që njerëzit më të mirë duhej avancuar.

Sipas Zogajt, pakoja e re e Ministrisë së Drejtësisë, e cila në masë të madhe është e dakorduar me KGJK-në do të siguronte një performancë të dinjitetshme.

Kryesuesi i KGJK-së tha se si institucion asnjëherë nuk kanë qenë kundër reformës në drejtësi.

“KGJK asnjëherë nuk ka thënë që nuk dëshiron reformë”- shtoi Zogaj.