Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, Foto: KALLXO.com

Kryesuesi i KGJK-së flet për arratisjen e Faton Hajrizit

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Albert Zogaj, në “KallxoPernime ka folur edhe për arratisjen e Faton Hajrizit. Ai ka thënë se kur dikush lirohet nga procesi gjyqësor do të duhet të ketë një reflektim te institucionet tjera para se të kërkohet llogaridhënje nga gjykata.

“Kur dikush lirohet në një proces gjyqësor apo nuk arrin në kualifikimin përkatës do të duhej të ishte një reflektim i thellë për strukturat që vijnë para gjykatës edhe sistemi prokurorial edhe sistemi i policisë dhe agjencive të tjera përkatëse”- tha Zogaj.

Sipas tij, me qëllim që të ketë funksionim të mirë të ligjit duhet që të gjitha institucionet e sigurisë që nga fillimi të përformojnë përafërsisht në nivelin e njëjtë profesional.

“Unë nuk mund ta gjykoj pikëpamjen e kryeministrit domethënë pse nuk ka gjykim ose etikë mbi policinë ose institucione të tjera por ka mbi gjyqësorin”- tha kryesuesi i KGJK-së

Tutje, Albert Zogaj ka thënë se nëse ka raste të dështimit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar ose terrorizimit është dështim i të gjitha strukturave institucionale.

“Nëse kemi dështu në luftën kundër korrupsionit, krimit te organizum, terrorizëm, është sepse ka dështu shteti, dhe kanë dështu te gjitha strukturat”- tha Zogaj.

Tutje, Zogaj ka thënë se sistemi gjyqësor dhe gjykatat kanë pasur një nivel serioz të progresit në të gjitha dimensionet.

“Gjykata dhe sistemi gjyqësor kanë njohur nivel serioz të progresit në të gjitha dimensionet pavarësisht se ka shumë probleme. Gjykatat kanë kontribuar në mënyrë efektive edhe për t’i korrektuar të tjerët”- tha Zogaj.

Faton Hajrizi u varros në fshatin Klinë e Ulët të Skenderajt më 11.08.2024. Trupi i pajetë i tij është transportuar nga Serbia në Kosovë më 09.08.2024.

Hajrizi u vra në Serbi një ditë pas një incidenti gjatë të cilit ishte vrarë një polic serb dhe ishte plagosur një tjetër.

Ai ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 06.07.2024, ku po vuante një dënim me burgim.