Jetish Maloku - Kryeprokuror i Gjilanit

Kryeprokurori i Gjilanit tregon detaje nga aksioni i sotëm i nisur në Karaçevë

Prokuroria e Gjilanit, ka mbajtur një takim informues lidhur me aksionin e sotëm i cili është vazhdimësi e atij të nisur ditë më parë në Karaçevë.

Lidhur me këtë ka folur edhe Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë në Gjilan.

“Prokuroria sot në orët e para të mëngjesit së bashku me Policinë dhe agjensitë e tjera të zbatimit te ligjit kanë zbatuar aksion në thuajse gjithë territorin e Kosovës”, tha Maloku.

Ai tutje tha se ky aksion ka qenë vazhdimësi e operacionit nga Karaçeva, i cili kishte rezultuar me 37 persona të arrestuar.

“Aksioni i sotëm ka të bëjë me kontrabandim të mallrave, blerjen dhe fshehjen e sendeve të përfituara nga veprat penale. Në aksionin e sotëm janë ndaluar 22 persona të cilët dyshohet se janë perfshirë në aktivitete kriminale”, shtoi tutje kryeprokurori Maloku.

“Gjithsej numri i personave të arrestuar ka shkuar në 59. Nga aksioni i sotëm janë sekuestruar gjësende të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale dhe të cilat janë përfituar nga veprat penale”, u tha tutje në takim.

“Operacioni i sotshëm është zhvilluar për shkak të dyshimeve të bazuara se në lokacionet e lartcekura janë zhvilluar veprimtari kriminale, përfshirë kontrabandimin me mallra, vënien në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, blerjen, pranimin ose fshehjen e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale dhe organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Si rezultat i aksionit të sotshëm janë ndaluar gjithsej 22 persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në aktivitete kriminale, ndaj të cilëve brenda afatit ligjor do të kërkohen masat për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, nga Gjykata kompetente në Gjilan. Gjatë ekzekutimit të urdhërkontrolleve, në 11 lokacione që lidhen me subjekte ekonomike dhe 17 lokacione që lidhen me persona fizik, janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e gjedheve, armëve, sendeve dhe artikujve të dëmshëm ushqimor, mjete që kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale, si dhe prova tjera që do të shërbejnë në procedurë të mëtejme penale”.

Pas aksionit në Karaçevë, bastisje në Pejë, Prizren e Gjilan në fabrika të mishit (FOTO)

.