Muhamer Raifi para Gjykatës në Gjakovë

Kristë Gjokaj dhe 5 policët e akuzuar do të gjykohen në Gjakovë

 

Gjykata e Gjilanit, për shkak të kompetencës lëndën ndaj Komandantit të Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjoka e ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Gjakovës.

Prokuroria e Gjilanit, në muajin nëntor të vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Kristë Gjokaj dhe 5 policëve të tjerë për keqtrajtimin e një të dyshuari brenda stacionit Policor në Gjakovë.

Se lënda do të gjykohet në Gjykatën e Gjakovës, për Kallxo.com e konfirmoj gjyqtari Islam Thaçi.

Gjykatësi Islam Thaçi tha shkurtimisht se: “Rasti ka ndodhur në Gjakovë dhe kompetenca duhet të jetë atje, nëse vendos Këshilli dhe na e kthen ne do ta gjykojmë, përndryshe lënda është dërguar në Gjykatën e Gjakovës”.

Në aktakuzën e prokurorit nga Prokuroria e Gjilanit, Shaban Spahiu përshkruhen veprimet e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës Kristë Gjokaj bashkë me Bekim Preqin, Gëzim Biblekajn, Agron Idrizin e Milot Ukajn po akuzohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndërsa Shaban Limanaj, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës komandanti Kristë Gjokaj, dyshohet se derisa i dyshuari për grabitje dhe sulm ndaj Policisë, Muhamer Raifi, kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, Gjokaj e kishte goditur me grusht në fytyrë.

Tutje sipas aktit akuzues Shaban Limanaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që si përgjegjës i qendrës iu kishte mundësuar policëve të lartcekur të hyjnë në qelinë ku ndodhej Muhamer Raifi dhe të njëjtin ta keqtrajtojnë fizikisht.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Suspendimet në Gjakovë: Kamerat e Policisë filmuan dhunën mbi të dyshuarin në stacion

.