Prapa grilave - Ilustrim

Krimet mizore që përfunduan me burgime të përjetshme në Kosovë

Dënimi me burgim të përjetshëm është dënimi më i madh që mund të shqiptohet në Republikën e Kosovës.

Ligji  parasheh dënimin me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale të kryera në rrethana veçanërisht rënduese ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda.

Kusht për t`u shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm është që kryerësi i veprës penale të jetë 21 vjeçar.

Në Republikën e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal në vitin 2012 janë shqiptuar 6 dënime me burgim të përjetshëm.

Vrasjet e Mevlin Ajdinoviqit, Donjeta Pajazitit, Jetmir Alijajt  e Shkodran Bytyqit, Valbona Ndrecaj dhe vajzës së saj dhe Sabile Mavorovqanit, në Kosovë janë krime për të cilat u shqiptuan dënime me burgim të përjetshëm, por asnjëri prej këtyre rasteve nuk është përfundimtar madje disa prej dënimeve janë zbutur dukshëm.

Sipas aktakuzave motivi  i vrasjes së Mevlin Ajdinoviqit, Jetmir Alijajt dhe Shkodran Bytyqit ishte për përfitim pasuror.

Ndërsa për rastin e Donjeta Pajazitit, Valbona Ndrecajt dhe Sabile Mavorovqanit nuk dihet motivi i vrasjes.

Sipas prokurorisë dhe aktakuzave karakteristikë e këtyre vrasjeve ishte se të katër viktimat ishin vrarë në mënyrë dinake dhe nga persona që i njihnin dhe u besonin.

Dënimi i Nuhi Mavrovqanit nga Kamenica  me burgim të përjetshëm sot e shënoi rastin e 6-të të krimeve më mizore që përfunduan me burgim të përjetshëm.

Nuhi Mavrovqani, të premten më 04 dhjetor, u gjet fajtor për vrasjen e gruas së tij Sabile Mavrovqanit më 20 korrik 2020.

Sipas aktakuzës, Nuhi Mavrovqani edhe pasi që gruaja e tij kishte rënë në tokë pas dy goditjeve të para, kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, e cila nuk kishte arritur t’i mbijetonte atyre plagëve. Më 25 korrik të këtij viti rreth orës 12, në shtëpinë e përbashkët të Nuhiut dhe Sabile Mavrovqanit në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës fillon një mosmarrëveshje familjare mes çiftit.

Nuhiu, siç ka përshkruar edhe prokurori Ismajli, me dashje ka vrarë gruan e tij Sabilen me një shufër metalike të një gjatësie rreth 73 centimetra dhe e një trashësie 2.2 centimetra.

Aktakuza thotë se e gjitha kishte filluar pas një fjalosjeje, e cila më pas përfundoi derisa Nuhi Mavrovqani fillon e godet gruan e tij tashmë të ndjerë Sabilen, fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe njëherë në anën e majtë të kokës e cila më pas është rrëzuar në tokë.

Gjykata e Ferizajit katër muaj më parë dënoi më 26 tetor 2020 Trimor Lalinovcin me burgim të përjetshëm.

Trimor Lalinovci është gjetur fajtor për vrasjen e Shkodran Bytyqit për të cilën Gjykata e Ferizajit i shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm.

Sipas aktakuzës, Trimor Lalinovci, akuzohet se me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të pasurisë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Shkodran Bytyqi, duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij.

Sipas aktakuzës Lilanovci dhe i ndjeri Bytyçi ishin njohur më parë me rastin e shitblerjes së një parcele në shumë prej 157,000 euro të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri.

I akuzuari Lalinovci dhe i ndjeri Bytyçi ishin marrë vesh që pagesa të paguhej me rata, por meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14,000 euro, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat.

Aktakuza thotë se pastaj me t’u takuar me të ndjerin ata nisen në drejtim të fshatit Prelez, me ç ‘rast pas një bisede i akuzuari Lalinovci ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon njëherë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Sipas aktakuzës, I akuzuari Lalinovci, pasi kishte kryer vrasjen kishte thirrur vëllain e tij për ta ndihmuar që ta marrin trupin nga vendi i ngjarjes dhe ta dërgojnë në fshatin Kishnapole të Gjilanit duke e hedhur në përrockë me qëllim të humbjen se gjurmëve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kanë hedhur trupin në një përrockë në shatin Kishanpole, i akuzuari Lalinovci shkon në një pompë të derivative blen benzinë me të cilën e kishte spërkatur trupin e viktimës Bytyqi dhe i kishte vënë flakën.

Aktakuza thotë se pas kësaj i pandehuri i vetëm shkon te pompa e derivateve merr një sasi të benzinës dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hudhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkat me benzinë dhe ia vë flakën, më pas përdor telefonin e të ndjerit dhe dërgon sms babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke u shkruar në sms se i ka marrë të hollat dhe është nisur për në Gjilan për ta takuar një person.

Më 24 shtator edhe Gjykata e Prizrenit i shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm ish-policit Shefki Spahiu, por avokati i tij ka paralajmëruar se ndaj këtij vendimi do të parashtrojnë ankesë.

Krimi tjetër që tronditi Dukagjinin dhe mbarë Kosovën ishte vrasja e 24 vjeçares Donjeta Pajazitaj në Strellc të Deçanit.

Për rastin që troniditi Deçanin në vitin vitin 2015 me vrasjen e 24 vjeçares Donjeta Pajaziti,  fillimisht u dha vendim lirues ku  i akuzuari Naser Pajaziti më 6 mars u lirua nga akuza në mugesë të provave.

Apeli pasi shqyrtoi ankesën e Prokurorisë vendosi që lëndën ta ktheje në rigjykim.

Pasi lënda u kthye në rigjykim gjykata me Kreshnik Radoniqin në krye ndaj Naser Pajazitit shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Aktakuza ndaj Naser Pajazitajt thotë se derisa Donjeta Pajazitaj më 9 nëntor 2015 rreth orës 14 e 30  ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”.

Ndërsa për tragjedinë ku mbeti e vrarë Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, gjykata e Gjakovës, më 2 nëntor 2018, e dënoi Pjetër Ndrecajn me 24 vjet burgim.

Mirëpo Apeli më 3 janar 2019, kishte prishur dënimin prej 24 viteve dhe Pjetër Ndrecajn e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Vendimi me burgim të përjetshëm u prish nga Gjykata Supreme e Kosovës pasi u konstatun shkelje esenciale të dispozitave procedurale në të dhe u vendos që Pjetër Ndrecaj të gjykohet sërisht.

Pasi përfundoi rigjykimi, Pjetër Ndrecaj më 14 shtator 2020, u dënuar më 24 vjet e gjysëm për veprat penale vrasje e rëndë dhe armbajtje pa leje.

Konflikti në mes çiftit kishte eskaluar mbrëmjen e 10 majit 2018 kur Valbona Ndrecaj kishte denoncuar në polici se ishte rrahur nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj.

Prokuroria kishte përshkruar në detaje se si Ndrecaj atë mbrëmje e kishte kapur për flokësh gruan e tij dhe e kishte goditur me boksa në kokë dhe në syrin e majtë.

Atë mbrëmje pas ankesës së viktimës Ndrecaj ishte prangosur për t`u mbajtur deri me 11 qershor në paraburgim.

Prokuroria sqaronte se konflikti në mes çiftit ishte inicuar nga një konflikt që njëri nga fëmijët e çiftit e kishte me fëmijët e vëllait të Ndrecajt.

Viktima në deklaratat e saj para policisë kishte përshkruar se djali i saj kishte gjetur 5 euro në rrugë, ndërsa djali i kunatit kishte pretenduar se ishin të tijat gjë që kishte quar në një konflikt në mes kunatave.

Siç përshkruhej në aktakuzë burri të nesërmen i kishte dhënë djalit të vëllait paratë.

Vendimi për t’ja kthyer paratë ishte pritur si ofendim nga viktima e cila ishte fjalosur me burrin e saj, fjalosje kjo e cila më pas kishte eskaluar në sulmin fizik. Në dëshminë e saj Valbona Ndrecaj kishte përmendur se disa herë me radhë ishte rrahur nga burri ndërsa kishte ankesa se kishte kryer edhe marrëdhënie seksuale pa pajtimin e saj. Një muaj para se të paraburgosej Ndrecaj çifti ishin pajtuar me një ndërmjetësues me premtimin se dhuna nuk do përsëritej.

40 vjeçari Ndrecaj mbrëmjen 7 gushtit qëlloi për vdekje ish gruan dhe vajzën 9 vjeçare.

Dënimi i parë me burgim të përjetshëm në Kosovë u dha në vitin 2015 me hyrjen në fuqi të Kodit Penal, për vrasjen e Melvin Ajdinoviqit në Strofc të Obiliqit

Sipas aktakuzës, në këtë natë e mitura F. C. ishte marrë vesh me të akuzuarit Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti që në bashkëveprim e me dashje ta privojnë nga jeta Melvin Ajdinoviqin për motiv të përfitimit të dobisë pasurore.

Për këtë qëllim ata ishin takuar në një kafiteri në Obiliq ku gjatë drenimit kishin bërë plane për t’ia marrë të hollat dhe për ta vrarë Ajdinoviqin.

Pastaj, gjithnjë sipas aktakuzës, te rrethi në Obiliq, e mitura F. C. ishte takuar me Ajdinoviqin, duke i propozuar atij një shëtitje me taksi. Si taksist i rremë në këtë rast të dyve iu ishte paraqitur tash i dënuari Emin Krasniqi me makinën e tij të tipit “Golf 2”.

Kur të tre kishin hipur në makinë, ishin nisur drejt fshatit Zhilivodë të Vushtrrisë, ku për ta luajtur si duhet rolin e taksistit, Krasniqi ishte ndalur për ta marrë një udhëtar tjetër, tash të dënuarin Astrit Mehmeti.

Aktakuza tregon se të katërt vazhduan rrugën drejt fshatit Strofc të Vushtrrisë ku e kryen vrasjen e Ajdinoviqit.

“Te vendi i quajtur Buxhak i Strofcit afër një pusi (bunari) të ndjerin e vrasin dhe e hedhin në bunar. Pas disa ditësh të akuzuarit Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti e nxjerrin të ndjerin nga bunari dhe e varrosin disa metra në afërsi të bunarit, thuhet në aktakuzë.

Këto janë dënimet e para me burgim të përjetshëm që nga hyrja në fuqi në janar të vitit 2013 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës që parasheh edhe këtë dënim.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat e dënuar me burgim të përjetshëm mund të lirohen me kusht vetëm pasi të kenë mbajtur 30 vjet dënim me burgim.