Foto: Kallxo.com

Krimet e luftës në Pejë, dëshmitarja: Polici serb i tha burrit ‘Lëshoje djalin ose ju vras të dyve’

Në gjykimin ndaj Zoran Gjukiqit, i akuzuar për krime luftë në lagjen Kristal të Pejës, të cilat pretendohet se i kreu më 29 mars 1999, ka dëshmuar edhe Lumturije Zeqiraj, bashkëshortja e viktimës, Hilmi Zeqiraj.

Ajo rrëfeu se si 3 ushtarë serbë u kishin hyrë në shtëpi, u kishin bërtitur të dalin nga bodrumi ku ishin fshehur dhe si prej asaj dite nuk e ka parë më kurrë burrin e saj Hilmiun dhe kunatin Skënderin.

“Jemi strehuar në bodrumin e shtëpisë me burrin dhe fëmijët. Po ashtu edhe kunati me familjen e vet ishin aty, si dhe Shaban Kaliqani me familjen e tij”, rrëfeu me emocione dëshmitarja.

“Jemi frikësu prej forcave serbe prandaj kemi hyrë në bodrum. Ata kanë hyrë në shtëpi, kanë bërtit dhe kanë thënë: Dilni se e dimë që jeni këtu!”, tha ajo.

‘’Ne kemi dalë nga bodrumi, na kanë qitë në oborrin e shtëpisë të tri familjet dhe na  kanë renditur te oborri i shtëpisë, kanë gjujtë me armë zjarri në drejtim nesh, duke na thanë: “Keni dashtë NATO, NATO ju ka dal!” Dhe gjatë tërë kohës shikonim se kush prej nesh po rrëzohet në tokë nga plumbat”, tregoi ajo.

Dëshmitarja tha se ajo e kishte pasur vajzën në krahë, kurse burri djalin.

“Njëri nga policët e ka thirrë burrin tim: “Eja këtu!”. Djali nuk ka dashur të ndahej nga babai ndërsa polici i ka thënë lëshoje djalin se ju vras të dyve, pastaj djali nga frika ka ardhë tek unë”, rrëfeu dëshmitarja.

‘Polici që i bërtiti burrit i kishte vetullat e zeza, ishte shumë agresiv dhe ia merrte mendja se është vetëm ai, se do të bëhet çfarë të thotë ai”, tha dëshmitarja duke kujtuar ditën e 29 marsit të vitit 1999.

“Pastaj Hilmiun e kanë futë në korridorin e shtëpisë dhe më asnjëherë s’e kam parë, neve na kanë qitë jashtë shtëpisë”, tha Lumturije Zeqiraj.

Ajo vazhdoi se më pas ka dalë kunati, Skënderi dhe i ka kërkuar para gruas së tij dhe pastaj është kthyer brenda  në shtëpi.

‘’Pastaj neve na kanë detyru me vazhdu drejt rrugës që është afër shtëpisë së Asllanit, dera e së cilës ishte hapur dhe kam parë Skënderin dhe Shabanin që i kanë ndalë policia”, shtoi ajo

“Ky ishte momenti i fundit kur e kam parë Skënderin dhe Shabanin”, theksoi ajo.

“Pastaj kemi shku te prindërit e Shabanit, kemi fjetë një natë aty e pastaj jemi nisur për në Mal të Zi, ku kemi qëndruar deri sa ka hyrë NATO në Kosovë”, tregoi ajo.

Dëshmitarja tha se për vrasjen e burrit kishte kuptuar sa kishte qenë në Ulqin.

‘’Unë nuk e kam ditur se burri im është vrarë por në Ulqin kur kam shkuar në pazar me vajzën një person me ka thënë se ta kanë vra burrin. Aty kam humb, nuk e kam ditë as ku jam”, shtoi ajo.

Ndërsa, kur ishin kthyer në Pejë lajmin për vrasjen e burrit ajo tha se e ka marrë nga kunati, Mërgimi.

“Trupat janë gjetur në Batajnicë dhe kur i kanë sjellë në Pejë e kemi bërë rivarrimin”, shtoi Lumturije Zeqiraj.

Prokuroria sfidon alibinë e të akuzuarit për vrasjen e shqiptarëve në lagjen ‘Kristal’ të Pejës

Seanca e radhës është caktuar për datën 19 dhjetor dhe do te dëgjohen dëshmitaret Valbona Berisha dhe Shaban Kaliqani.

Zoran Gjukiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë  dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi I kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

Sipas Prokurorisë, Zoran Gjukiqi akuzohet për veprat penale – krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventës së Gjenevës  dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.

Gjatë ditës së sotme në këtë gjykim ka dëshmuar edhe kunata e Lumturije Zeqirajt, Mihrija, burri i të cilës po ashtu ishte vrarë në aksionin e forcave serbe më 29 mars 1999.

Gjykimi për krime lufte: Dëshmitarja flet për vrasjen e burrit dhe kunatit në Pejë në mars 1999

www.kallxo.com