Krimet e luftës - I akuzuari Zoran Gjokiq ballafaqohet me deklaratat e dëshmitarëve

Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, është ballafaquar sot në Gjykatë me deklaratat e dëshmitarëve.

Gjatë seancës së sotme u dëgjuan dëshmitarët Lutfi Hajzeri dhe Fuat Hoxhaj, të cilët u pyetën në detaje në lidhje me aksionin e 29 marsit 1999, në lagjen e tyre “Kristal” në Pejë.

Dëshmitari Hajzeri, u deklarua se atë ditë duke u kthyer nga fabrika ku punonte i ka takuar rrugës 3 persona, dy janë të vdekur Vehbi Hoxha dhe Mehmet Gashi, ndërsa Zef Deda ka shpëtuar.

“Para se me mrri te shpia kam dëgju krisma dhe u dëgju që është vra Vehbi Hoxha, kurse Mehmetin dhe Zefin ku e kanë dërgu nuk e di”, tha ai.

Tutje Hajzeri tregoi për tmerrin e përjetuar kur ka arritur në shtëpi, nga plumbat drejtuar familjarëve të tij. Të prekur nga këta plumba ishin dy djemtë e tij.

“Djali i madh ishte 9 vjeç ndërkaq i vogli 3 vjeç e gjysmë, i madhi duke u mundu ta mbrojë djalin e vogël është plagos dy herë, kurse i vogli ish plagosë por nuk ka pas plagë të thellë”, tha ai.

Me të dëgjuar krismat së bashku me familjarët, Hajzeri tregoi se ka tentuar të ikën përmes derës së prapme, dhe aty tha se e kishin zënë forcat paramilitare serbe.

“Na kanë tubuar dhe duke ecur drejtë rrugës kryesore kemi pa familjarët e viktimave, ata dhe ne kemi ecur drejtë rrugës kryesore ndërkaq burrat ishin më larg. Në mesin e këtyre burrave ishin edhe Skënder Zeqiri, Shaban Kaliqani dhe Bashkim Berisha. Ndërkohë janë ni krismat e atëherë sipas të gjitha gjasave janë vra Skenda dhe Bashkimi. Kemi vazhdu prapë dhe afër trafostacionit e kanë vra edhe Rizën”, tha dëshmitari Hajzeri.

Ndërsa dëshmitari i dytë, Fuat Hoxhaj, i pyetur se çka kujton nga data 29 mars 1999, theksoi se “Ka qenë java e parë e bombardimeve isha gati 23 vjeçar. Atë ditë ka ndodhë ai aksion, në mëhallën time ka fillu me mua dhe me Bedri Hajzerin, i cili është daja im. Ka qenë ora nëntë në mëngjes kam shku te daja me shiku dhe me pyet se çka do të bëjmë. Rrugës duke u kthyer në shtëpi, na ka shtënë me automat një polic me na vra mu dhe dajën”, tha Hoxhaj.

Pjesën tjetër të ngjarjes e përshkruan se e ka vëzhguar nga kulmi i shtëpisë.

“Kur kanë ardhur në oborrin tim, polici bashkë me dy të tjerë, aty e kam parë se kush është, fytyrën e tij nuk e harroj kurrë. Ka qenë një djalë 27-28 vjeçar me sy të gjelbër e flokë të zeza. Njërin prej tyre e kam dëgju duke pyetur tjetrin “Zoki a ka diçka brenda?”, tregoi dëshmitari, duke iu referuar bastisjes së shtëpisë.

Tutje ai tregoi rreth vrasjeve që i bën forcat paramilitare fqinjëve të tij, por gjithmonë me urdhër të “Zokit”, që sipas tij ishte kryesori.

“Diku rreth orës 1 ka ardhë një kamion, e me të i kanë marrë kufomat e lagjes time, aty edhe pash që brenda ka edhe më shumë kufoma. Më pas kamioni u ndal tek trafoja, aty dhe e kanë marrë kufomën e Rizës”, rrëfeu dëshmitari Hoxhaj.

Zoran Gjokiq akuzohet se gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, ka hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve lokalë dhe i ka detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Siç e përshkruan prokuroria, pas largimit nga shtëpitë, Gjokiq i ka maltretuar fizikisht dhe psiqikisht viktimat.

Më tej, aktakuza shpjegon që Gjokiq së bashku me persona të tjerë pasi kanë arritur tek shtëpia e të ndjerit Hilmi Zeqiraj, kanë plaçkitur dhe kanë detyruar që t’i dorëzojnë të gjitha të hollat.

Po ashtu, sipas aktakuzës, në oborrin e po kësaj shtëpie e kishin rrahur Shaban Kaliqanin duke e goditur në fytyrë dhe duke ia thyer dhëmbët ndërsa në ndërkohë e vrasin Hilmiun.

Gjokiq akuzohet edhe se më pas ka ndaluar Skënder Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndan dhe me kallashnikov i ekzekuton Zeqirin dhe Berishën.

Sipas aktakuzës, Shaban Kaliqani kishte shpëtuar pasi i akuzuari i ishte drejtuar me fjalët “Ngaj çka po pret”.

I vdekur kishe mbetur edhe Riza Mamaj, i cili ishte nisur me karrocë në dorë dhe ishte qëlluar më pas me plumba në gjoks.