Krejt çka dihet për vrasjen e shumëfishtë që tronditi Gjilanin

Gjilani është tronditur nga një vrasje e shumëfishtë që ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në një shtëpi në rrugën “Xhevat Ajvazi” në lagjen ‘Bujanina’ në këtë qytet.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, një zyrtare policore ka vrarë 4 anëtarë të familjes së saj: prindërit, dy vëllezërit dhe pastaj ka kryer vetëvrasje.

Prokuroria nuk ka njoftuar deri më tani për ndonjë motiv të mundshëm për vrasjen.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në vendin e ngjarjes, përkatësisht te vendbanimi i të ndjerëve.

Fqinjët familjen e viktimave e kanë përshkruar si të qetë dhe pa probleme.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë Policia, prokurori i rastit dhe ekipi mjekësor, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.

Drejtori i Policisë arrin në Gjilan pas vrasjes së shumëfishtë

Ndërkaq, rreth orës 16:00 kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka dalë në vendin ku ndodhi rasti tragjik.

Ai përmes një konferencë për media tha se familja tashmë e ndjerë – Bllaca ishte familje e ndershme dhe e respektuar.

“I gjithë Gjilani është në ditë zie. Tragjedia që po kalojmë është nën hetime dhe duke u zbardhur nga ana e organeve të shtetit. Është shuar një familje, është tragjedia më e madhe që mund ti ndodhë çdo kujt dhe për ne sepse kanë qenë një familje e ndershme, janë familje jashtëzakonisht e respektume por që problemet që kanë pas në këtë rast ka shkaktuar këtë tragjedi e cila mund të përballet vetëm me solidaritet”, tha kryetari Haziri.

Prokuroria në Gjilan: Zyrtarja e policisë vrau 4 anëtarë të familjes dhe veten

Po ashtu, ai tha se do të propozojë një ditë zie për këtë rast tragjik.

“Komuna do të jetë pranë familjes së mbetur, pra me mixhën si autoriteti me i madh në familje bashkë me kryetarin e Bashkësisë Islame dhe komunitetin e Cërnicës ne do të koordinojmë krejt aktivitetet tradicionalisht. Kam propozuar një ditë zie për nder të familjes Bllaca që është ndarë nga jeta, kjo do të lidhet me ditën e varrimit, varet edhe më organet e tjera se kur të jenë të gatshëm edhe këshilli bashkësia islame”, tha Haziri.

“Djemtë [vëllezërit] kanë qenë edhe veprimtarë edhe të angazhum. Unë i njoh shumë mirë. Vetëm prokuroria e jep versioni zyrtar”, shtoi ai.

Në anën tjetër, gjatë ditës ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në ‘Facebook’.

Ajo ka thënë se organet kompetente duhet të marrin masa urgjente për të shmangur rastet si ky.

“Thellësisht e prekur nga ngjarja tragjike në Gjilan. Mendimet dhe lutjet e të gjithë neve që u trishtuan nga kjo tragjedi do të jenë me viktimat dhe familjen e tyre në këtë orë të ligë”, ka shkruar kryeparlamentarja.

Ekipi i KALLXO.com do të iu mbajë të informuar në vazhdimësi për të detaje të tjera lidhur me këtë rast.

LIVE nga vendi ku ndodhi vrasja e shumëfishtë në Gjilan

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 18 février 2020

(VIDEO) Vendi ku u vranë pesë persona në Gjilan

Gjilan, fotografi nga vendi ku u vranë pesë persona