Foto: Kallxo.com

Krahasohen mostrat e benzinës për vrasjen në pompë të derivateve natën e Vitit të Ri

Një ekspert erdhi të premten në gjykimin e Nimon Berishës në Mitrovicë me konstatimin se mostrat e bënzinës të nxjerra nga një automjet nga i cili dyshohet të ketë dalë vrasësi i punëtorit të pompës së derivateve në Pejë me mostrat e benzinës të marra nga ajo pompë “janë shumë të përafërta me njëra-tjetrën”.

Nimon Berisha nga Prokuroria e Pejës akuzohet se më 31 dhjetor 2014, natën e Vitit të Ri, rreth orës 06:35, në pompën e benzinës “D-Petrol” në Pejë, me qëllim të përfitimit material me pushkë automatike ka vrarë në mënyrë dinake tani të ndjerin Isa Karagjyzi, i cili ishte punëtor i pompës së benzinës.

Gjykimi ndaj Berishës po mbahet në gjykatën e Mitrovicës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me automjetin e tipit ‘Hummer’ me targa amerikane kishte shkuar në këtë pompë benzine ku e kishte mbushur rezervuarin në shumën 128 euro.

Sipas aktakuzës, pasi Nimon Berisha kishte vërejtur që Isa Karagjyzi ndodhej vetëm në pompën e benzinës, kishte nxjerrë armën automatike AK 47 dhe e kishte qëlluar në gjoks me një predhë viktimën, i cili po priste që Berisha t’i bënte pagesën për karburantin.

Në aktakuzë thuhet se Isa Karagjyzi kishte vdekur nga goditja me armë, ndërsa i akuzuari i kishte marrë çantën e dorës në të cilën ndodheshin 2,000 euro, duke ikur pastaj në drejtim të panjohur.

Berisha në shkurt të këtij ishte liruar nga akuza për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje por Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim këtë rast pas ankesës së Prokurorisë së Mitrovicës.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmia e ekspertit Naim Mahmutaj, lidhur me vlerësimin e dy mostrave derivateve të benzinës, njëra e marrë në automjeti ‘Hummer’ i cili dyshohet se ishte vozitur nga kryesi i veprës dhe tjetra nga pika e pompës D – Petrol në të cilën dyshohej se ishte furnizuar vetura.

AI ka shtuar se nëse në kuadër të këtyre dy mostrave i referohemi sulfurit bëhej fjalë për një saktësi të madhe deri në një milion pjesë, duke shpjeguar kështu saktësin e vlerësimit të mostrave.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar Ferid Karagjyzi e ka pyetur ekspertin “nëse në rezervuarin e veturës ka pasur mbushje prej 10 euro”.

“Nëse e kemi parasysh mbushjen prej 128 euro në rezervuar a mund të na çojë kjo të diferenca mes cilësisë në raportin tuaj”, pyeti Karagjyzi.

Duke u përgjigjur në këtë pyetje, eksperti Mahmutaj ka sqaruar se ndikimi i produktit që ka sasi më të madhe është më i madh se sa ndikimi i produktit me sasi më të vogël. Sipas tij, nëse janë në pyetje 100 litra ato kanë ndikim më shumë në raportin e ekspertimit se sa 10 litra.

Në anën tjetër pala e dëmtuar sot është përfaqësuar nga vetë i dëmtuari Ferid Karagjyzi, sepse në seancën e kaluar përfaqësuesi ligjor, avokati Ramë Gashi pas një diskutimi që kishte pasur më kryetarin e trupit gjykues Avni Mehmeti e kishte lëshuar sallën.

Pas kësaj, avokati Gashi me vendim të trupit gjykues ishte dënuar me 500 euro gjobë.

Ndërsa Ferid Karagjyzi në fillim të seancës ka njoftuar trupin gjykues se tani e tutje do të përfaqsohen vetë në këtë rast të rigjykimit ndaj të akuzuarit Nimon Berisha.

Gjatë kësaj seance gjyqësore po ashtu janë administruar provat, ku me pajtimin e palëve dëshmitë e dëshmitarëve të cilët ishin dëgjuar në shqyrtimet e mëhershme janë konstatuar si të lexuara.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Nimon Berisha, avokati Ramiz Krasniqi, ka propozuar që të bëhet shikimi i vendit ku kishte qenë e parkuar vetura ‘Hummer’, në menyrë që, sipas tij, të vertetohet nëse kishte qenë e mundur që të ketë qasje në këtë automjet pa hapjen e dyerve kryesore.

Gjithashtu Krasniqi ka propozuar që në lidhje me shumëzimin e çelësave të veturës të ftohej për t’u dëgjuar pronari i kompanisë “Cani”, i cili në një përgjigje dhënë policisë, sipas tij, kishte deklaruar se këta çelësa mund të shumëzoheshin.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori Njazi Rexha me arsyetimin se në udhëzimet e gjykatës së Apelit, kjo duhet të provohet nga prodhuesi i automjetit apo servisi i autorizuar, ndërsa zvarritje të procedurës dhe si propozim të konsumuar e ka quajtur propozimin e avokatit për dalje në vendin ku kishte qenë e parkuar vetura.

Kundërshtimi i prokurorit është përkrahur edhe nga pala e dëmtuar, në këtë rast Ferid Karagjyzi.

Kurse trupi gjykues me kryetar Avni Mehmeti dhe anëtarët Beqir Halili dhe Gëzim Ademi, pas administrimit të provave kanë njoftuar palët se për shkak se tani për tani nuk ishte e mundur të sigurohen provat e sugjeruara nga gjykata e Apelit, gjykimi ndërpritet dhe shtyhet në kohë të pacaktuar derisa të siagurohen këto prova.

Në këtë proces gjyqësor përpos për vrasje të rëndë, Nimon Berisha akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Rigjykimi për vrasjen në Pejë, dënohet avokati që lëshoi sallën