KPK themelon panel hetimor lidhur me rastin e vrasjes së gruas në Llaushë

 

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka themeluar panel hetimor për të hetuar pretendimet për shkelje disiplinore të prokurores në Mitrovicë, Stojanka Kasaloviq lidhur me rastin e vrasjes së gruas në Llaushë.

“Gjithashtu, Këshilli ka themeluar katër panele hetimore për trajtimin e rasteve disiplinore ndaj një prokurori të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

 KALLXO ka raportuar për këtë rast.

Lirije Qerimaj më 1 janar kishte raportuar në Polici dhunën psikike nga bashkëshorti i saj ndërsa për disa orë ishin marrë në pyetje nga zyrtarë policorë për rastin e tyre dhe kishte kërkuar lëshimin e një urdhri për mbrojtje mirëpo kërkesa për mbrojtjen e saj u mor pasi vdiq.

Arsyeja se pse nuk e kishte raportuar burrin për dhunë fizike ishin dyshimet se i njëjti kishte probleme psikike.

KALLXO.com raportoi skandalin se si kërkesa për mbrojtjen e Lirije Qerimajt ishte bërë pas vrasjes. Nuk është raportuar për orën e saktë se kur është bërë kërkesa, ndërsa Hatixhe Latifi nga Zyra për mbrojtjen e viktimave – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Mitrovicë, ka thënë se nga mediat kanë kuptuar se Lirije Qerimaj është vrarë.

Sipas Latifit, nuk ishte bërë kërkesë për mbrojtjen e viktimës. Edhe ajo përmendi faktin se rasti nuk është paraqitur emergjent.