Foto - Fjolla Bici - KALLXO.com - 15.02.2022

Kosovari e pranon se luftoi përkrah forcave të ISIS-it

I akuzuar me veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, Skënder Qerimi i njohur me nofkën “Ebu Dher” ka pranuar se ka marrë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se Qerimi në vitin 2014 udhëtoi nga qyteti i Ferizajt, për në Siri, përmes disa lidhjeve të caktuara.

Sipas prokurorisë, pas regjistrimit në ISIS Qerimi ka vijuar trajnimet fizike, taktike dhe luftarake, si dhe ligjërata fetare.

I pajisur me uniformë ushtarake të ISIS-it dhe me pushkë automatike AK47, Qerimi kishte marrë pjesë në luftërat e ISIS-it, në qytetin Mosul, Zumer e Sedfaruk.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ai ka qenë i angazhuar edhe në Batalionin e Snajperistëve në kontigjentin “Ebu Abdurrahman El Beilavi”, në brigadën “Dabik”.

Dëshmi për këto, prokurori special pretendon se ka gjetur në pakot e provave që ua ka siguruar Byroja Federative Amerikane e Hetimeve – FBI.

Qerimi tha se ishte vetëdorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri në korrik të vitit 2017, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Sipas prokurorit special Afrim Shefkiu, për sa i përket pretendimeve të mbrojtjes, koha e qëndrimit nga muaji mars i vitit 2019 deri në korrik të vitit 2017, nuk qëndron sepse është fjala për një kamp ku ka pasur edhe shumë qytetarë të tjerë civil.

“Me qenë se në shkresat e lëndës nuk figuron kurrfarë dokumenti zyrtar mbi paraburgimin e të njëjtit, kjo kohë nuk duhet pranuar si mbajtje e dënimit”, tha prokurori.

I akuzuari Qerimi e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“E pranoj pjesëmarrjen time në Siri, në grupin e ISIS-it”, deklaroi Qerimi.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Ilir Rashiti, kërkoi nga trupi gjykues se duke peshuar interesin e përgjithshëm dhe interesin e të akuzuarit për rehabilitim, si dhe faktin se i njëjti është baba i dy vajzave të mitura, që t`i shqiptohet një dënim sa më i butë dhe i përshtatshëm, ku i akuzuari të ketë mundësi që të kujdeset për vajzat e tij.

Vendimi pritet të merret nesër, 16 shkurt 2022.