Konflikti që nisi për kafshë dhe përfundoi me vrasje, eksperti i forenzikës tregon për analizat e ADN-së së të akuzuarve

Sadat dhe Fejard Llugaliu, të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut në vitin 2016-të në Podujevë, janë ballafaquar në seancë gjyqësore me ekspertin e forenzikës, Bashkim Mustafa.

Eksperti Mustafa tha se lidhur me rastin në fjalë, në laborator iu kanë sjellë, në total 49 dëshmi për analizë, të cilat janë analizuar dhe në fund kanë dalë një mori rezultatesh.

Mustafa tha se “Nga disa prej dëshmive, është nxjerrë një profil i ADN-së që është përputhur me profilin e ADN-së së të ndjerit Fahri Bunjaku, dhe nga disa dëshmi tjera është nxjerrë një profil i ADN-së së Esat Llugaliut”.

“Gjithashtu dhe nga një dëshmi është nxjerrë një profil i përzier ADN-së, i cili është përputhur me profilet e ADN-së së Esat Llugaliut dhe Fahri Bunjakut”, tha eksperti Mustafa.

Tutje ai përmendi dhe një dëshmi tjetër, nga e cila është nxjerrë dhe një profil i ADN-së nga një person i panjohur, që nuk është përputhur me bazën e të dhënave të ADN-së.

Sa i përket kësaj eksperti Mustafa tregoi arsyen se pse është konstatuar ky profil si i panjohur.

“Arsyeja se pse e kemi konstatu këtë profil në raport si të panjohur, është sepse s’kemi pasur mostra referente për krahasim dhe deri sa ne s’kemi mostra referente për krahasim, ai profil është profil i panjohur”, shtoi eksperti Mustafa.

Gjykata me pëlqimin e të gjitha palëve konsideroi si të tërhequr aktvendimin e datës 26 janar 2021, për dëgjimin e ekspertit Fatmir Ademi.

Gjyqtari i rastit, Kujtim Krasniqi, tha se kompania “Z-mobile”, iu ka siguruar hartografitë lidhur me rastin dhe se nga kompania iu është thënë se numrat që figurojnë në atë hartografi, nuk janë pjesë e asaj kompanie.

Ai shtoi se nga kompania “Vala”, akoma nuk kanë marrë përgjigje sa i përket hartografive të kërkuara.

“Po ashtu kemi dërguar video-inçizimin për qartësim në Agjensionin Kosovar për Forenzikë, mirëpo akoma s’kemi marrë përgjigje”, theksoi gjyqtari Krasniqi.

Gjyqtari Krasniqi, në fund tha se “Për arsye të mungesës së përgjigjeve për dy provat materiale të lartcekura, shqyrtimi i sotëm gjyqësor s’mund të vazhdojë”.

Seanca e radhës u caktua për datën, 18 mars në ora 10:00.

Kjo vrasje kishte ndodhur në muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun, se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ishte dënuar Fejard Llugaliu, me burgim efektiv 3 vjet e 6 muaj, ndërsa i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza për vrasje, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu – Selimaj, nuk ishte arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

 

Vazhdon seanca për vrasjen e vitit 2016-të në Podujevë