Konflikti për shitblerjen e kafshëve që çoi në vrasje, eksperti i forenzikës jep detaje për filmimet në ditën kritike

Në gjykimin ndaj Sadat dhe Fejard Llugaliu, të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut në vitin 2016-të në Podujevë, të njëjtit janë ballafaquar me ekspertin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Besim Hasani.

Eksperti Hasani deklaroi se, mbetet prapa raportit të ekspertimit të datës 21 janar 2021, dhe se me urdhëresën e Gjykatës i është kërkuar që të pastrohet videokamera 12, nga ora 22:25 deri në orën 22:35.

“Për videoinçizimet është kërkuar të pastrohet, videokamera numër 12, nga ora 22:25 deri në orën 22:35, kohë tjetër të caktuar për pastrim nuk kam pasur, të gjithë provat janë administruar në këtë kohë. Është kërkuar të identifikohet vetura, targat dhe personi që mund të shihet duke dalë apo hyrë në veturë si dhe mjetin që mban në dorë drejtuesi i veturës në kamerën 12”, deklaroi eksperti Hasani.

Tutje ai tha se me konstatimin dhe mendimin përfundimtar, janë provuar qartësimet digjitale në personat, është qartësuar subjekti dhe janë aplikuar filtrat për qartësimin e subjekteve në errësirë, kurse te pjesa e gjetjeve format e automjetit tha se ngjajnë me Mercedes, edhe pse sipas tij nuk mund të vërtetohet saktë automjeti, targat, apo mjeti i personit siç është kërkuar në urdhëresë.

Mbrojtja e familjes së dëmtuar, avokati Ahmet Tahiri kërkoi që të bëhet qartësimi i videos numër 12 nga ora 22:34 deri në orën 22:39, që është pjesa kur personat kthehen në veturë.

Po ashtu i dëmtuari Avdyl Bunjaku deklaroi se heqë dorë nga administrimi i hartografive si prova, Gjykata vendosi që ta konsiderojë të tërhequr propozimin e provës lidhur me hartografitë.

Seanca e radhës u caktua për datën 2 qershor 2021.

Kjo vrasje kishte ndodhur në muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun, se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ishte dënuar Fejard Llugaliu, me burgim efektiv 3 vjet e 6 muaj, ndërsa i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza për vrasje, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu – Selimaj, nuk ishte arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Esat Llugaliu, për të cilin është veçuar procedura për shkak se gjatë sulmit ka pësuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme.

Vrasja që dyshohet se i parapriu një konflikt për shitblerjen e kafshëve, shfaqet një video-incizim i ri