Konflikti për shitblerjen e kafshëve që çoi në vrasje, bëhet rikonstruktimi i vendit të ngjarjes

Në gjykimin e Sadat dhe Fejard Llugaliut, të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut në vitin 2016 në Podujevë, është bërë rekonstruktimi i vendit të ngjarjes.

Avokatja e palës së dëmtuar dhe avokati i njërës palë të akuzuar e kanë konfirmuar këtë për KALLXO.com.

Avokatja e familjes së dëmtuar Bunjaku, Fortesa Mehmeti Syla, ka thënë për KALLXO.com se sot në seancë janë shikuar sërish kamerat dhe pastaj është bërë rekonstruktimi i vendit të ngjarjes, me të cilin është bërë improvizimi i ditës kritike.

“Në seancën e sotme janë qartësuar kamerat prej minutës 32 deri në minutën 40, ku në ato kamera shihen qartë personat e akuzuar. Pastaj në ora 11:00 është bërë rekonstruksioni i vendit të ngjarjes dhe gjithçka ka qenë e improvizuar si në natën kritike të ngjarjes”, ka thënë avokatja Mehmeti-Syla për KALLXO.com.

 

Ndërsa avokati i të akuzuarit Fejard Llugaliu, Skender Musa, ka thënë për KALLXO.com se në videot e shikuara gjatë seancës së sotme nuk ka prova.

“Sot janë shikuar videot dhe mund të them se hiqet çdo dilemë që ka ndonjë provë në ato video. Gjithashtu kemi dalë në vendngjarje për rekonstruksion dhe me këtë janë kryer të gjitha kërkesat dhe rekomandimet e Gjykatës së Apelit”, ka thënë avokati Musa për KALLXO.com.

Të dy avokatët kanë shtuar se në seancën e radhës pritet të jepet fjala përfundimtare.

Kjo vrasje kishte ndodhur në muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria e Prishtinës i akuzon Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale – vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve.

Gjykata e shkallës së parë më 30 korrik 2019, të akuzuarin Sadat Llugaliu e kishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë, ndërsa e kishte shpallur të pafajshëm për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Fejard Llugaliu ishte dënuar me burgim efektiv prej 3 vjet e gjysmë për armëmbajtje pa leje, kurse ishte liruar në akuzën për vrasje të rëndë.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Esat Llugaliu, për të cilin është veçuar procedura për shkak se gjatë sulmit ka pësuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme.