Konflikti për borxh, gjykata e Gjilanit merr vendim për të dyshuarin

Gjykata e Gjilanit i caktoi 1 muaj arrest shtëpiak të dyshuarit për armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Në Gjykatën e Gjilanit në përbërje të gjyqtarit të procedurës paraprake Islam Thaçi u mbajt seanca dëgjimore në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Gjilanit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Prokuroria dyshon se në datën 03.08.2019, në Viti, i dyshuari B.Z. pas një mosmarrëveshje për një borxh ka shtënë me armë në ajër me qëllimin për ta frikësuar të dëmtuarin M.I. duke kryer veprat penale të armëmbajtjes pa leje dhe të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Në seancën dëgjimore prokurori Shaban Spahiu deklaroi se janë plotësuar kriteret që gjykata t’ia caktojë masën e paraburgimit të dyshuarit.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit avokati Halit Sinani, deklaroi se nuk ka bazë për të caktuar masën e paraburgimit, duke qenë se i dyshuari e ka pranuar se ka gjuajtur me armë në ajër për ta larguar të dëmtuarin nga i cili është ndjerë i kërcënuar. Mbrojtësi gjithashtu deklaroi se i dyshuari me të dëmtuarin janë pajtuar dhe se nuk kanë probleme në mes tyre.

Duke u bazuar në pretendimet e paraqitura nga palët në seancë dëgjimore, gjykata vendosi që për të dyshuarin të caktoj masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në afatin e caktuar ligjor.