Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës dhe Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Pejës Foto: Facebook
Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj shefit të Kabinetit të Gazmend Muhaxherit
Gjykata e Pejës e ka konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Durim Sheremetit, shefit te kabinetit të kryetarit të Pejës.
Përveç tij, në këtë rast të akuzuar po ashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë edhe Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala përderisa Ilir Kelmendi po akuzohet për mashtrim.
Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata e Pejës i ka konsideruar si të pabazuara kërkesat e të akuzuarve kundrejt aktakuzës.
Në aktvendim thuhet se, Gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Në seancën e datës 5 nëntor 2019, të akuzuarit e kanë kundërshtuar aktakuzën që i ngarkon ata për këto vepra penale.
Shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit deklarohet i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë
Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Pejës Gazmend, Muhaxheri, akuzohet se në këtë pozitë, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit pa qenë i autorizuar për nënshkrimin e këtij raporti.
Me këtë veprim ai akuzohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës.
Sipas dosjes se prokurorisë, të akuzuarit tjerë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, si persona zyrtarë në Komunën e Pejës, anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur kanë nënshkruar raportin për pranim të mallit pa verifikuar plotësimin e kushteve qe kërkohen.
Në anën tjetër, Ilir Kelmendi akuzohet se në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, ka paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Më këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në vlere prej 9,929 euro.