Komisioni për Legjislacion miratoi në parim projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, shërbimin korrektues dhe shërbimin sprovues

Më 8 vota për Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim projektligjet për ekzekutimin e sanksioneve penale, për shërbimin korrektues, dhe atë për shërbimin sprovues.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komisionin për Legjislacion gjatë shqyrtimit të projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale tha se qëllimi i tij është rregullimi i sanksioneve penale, aplikimi i masave të trajtimit të detyrueshëm dhe masës se paraburgimit.

Haxhiu tha se njëra nga çështjet qe ka marrë më së shumti diskutime ka qenë ajo e panelit për lirim me kusht.

“Siç jeni në dijeni një nder problemet qe e konsiderojmë që e kemi është funksionimi i panelit për lirim me kusht që është në kuadër të KGJK-së dhe ka jashtëzakonisht shumë ankesa në raport me atë se a trajtohet këto kërkesa siç duhet nga paneli, pra ka dyshime të mëdha por megjithatë unë nuk kam fakte për të thënë me dal më një përfundim”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se projektligji përfshin që vendimet e këtij paneli të jenë objekt i ankimimit, ku shtoi se për këtë do të formohet një trup gjykues prej 3 gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Pra në momentin kur është edhe një shkallë tjetër që i trajton këto, kemi konsideruar qe siguria juridike dhe të drejtat e të burgosurve në bazë të ligjit të respektohet si të tilla”.

Çështje tjera lidhur me këtë projektligj është edhe pushimi i të burgosurve, ku janë shtuar 7 ditë pushim i rregullt, pastaj u shtrua edhe çështja e zgjerimit të pezullimit të dënimit për rastet e sëmundjeve të pashërueshme me diagnoza terminale.

“Të burgosurit më këtë diagnozë me vendim të gjykatës, pra jo të ministrisë bazuar në vendimin e një ekipi mjekësor të vazhdojë të qëndroj në shtëpi apo spital deri në shërimin e tyre”, tha Ministrja Haxhiu.

Tutje lidhur me këtë projektligj u elaborua edhe çështja e kufizimet ligjore që kanë ekzistuar gjatë periudhës së pandemisë, ku sipas ministres me ndryshimet e projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale do të parashihen edhe lehtësime siç është lirimi i parakohshëm kur ata janë dënuar në rrethana të pandemisë.

Lidhur me projektligjin për shërbimin korrektues u tha se për herë të parë ky shërbim do të parashihet me një ligj të veçantë si një agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim të rritjes së pavarësisë së tij.

Po ashtu edhe me projektligjin për shërbimin sprovues, Haxhiu tha se për herë të parë do të parashihet me një ligj të veçantë, njëjtë si shërbimi korrektues.