Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Komisioni për dhënien e provimit të noterisë vetëm njërës kandidate ia aprovon ankesën

Komisioni për dhënien e provimit të noterisë e ka aprovuar ankesën e njërës kandidate për notere.

Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes ueb-faqes zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, me ç ‘rast është bërë publik vendimi i komisionit lidhur me kandidaten Merita Musa- Abazi.

Merita Musa- Abazi e kishte kaluar provimin me shkrim ndërsa kishte ushtruar ankesë për shkak se emri i saj nuk ishte gjendur në listën e kandidatëve që e kanë kaluar provimin me gojë, pas shqyrtimit të ankesës, komisioni ka bërë të ditur se kandidates në fjalë i është aprovuar ankesa dhe e njëjta e ka kaluar provimin me gojë duke fituar kështu në total 64 pikë.

Merita Musa-Abazi është e vetmja kandidate të cilës i është aprovuar ankesa e ushtruar ndaj procesit të vlerësimit të provimit me gojë.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka provuar disa herë që të kontaktojë me kryesuesin e Komisionit, Nehat Idrizi, anëtaren e Komisionit, Merita Kostanica, ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri si dhe udhëheqësin e Departamentit për Profesione të lira në Ministrinë e Drejtësisë, Elbasan Dervishaj, për të kuptuar për numrin e ankesave të cilat i kanë pranuar, por përkundër insistimit asnjëri nga ta nuk i është përgjigjur telefonatave tona.

Provimit me shkrim për noterinë më 15 e 16 qershor i janë nënshtruar 584 kandidatë, prej të cilëve 235 e kanë kaluar provimin.

Më 6, 7, 8 dhe 9 korrik kandidatët që e kanë kaluar provimin me shkrim i janë nënshtruar provimit me gojë, me ç ‘rast 176 prej tyre e kanë kaluar edhe provimin me gojë duke e kaluar kështu në tërësi provimin për noter.

Gjatë ditës së sotme Ministria e Drejtësisë ka hapur konkurs për noter nëpër komuna të Kosovës.

Sipas njoftimit për konkurs, Ministria ka shpallur 79 pozita të lira në 35 komuna të Kosovës.

https://kallxo.com/ministria-e-drejtesise-hap-konkurs-per-notere-ne-35-komuna/

 

Që prej momentit të publikimit të emrave të kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë me shkrim, ka pasur reagime e ankesa të shumta nga kandidatët, të cilët po pretendojnë se ky provim u mbajt me shkelje të mëdha ligjore.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi gjatë këtij muaji për dyshime për konflikt të interesit pasi kryesuesi i komisionit, Nehat Idrizi, e pranoi se i kishte hartuar pyetjet e testit të cilit i ishte nënshtruar reja e tij.

KALLXO.com ka raportuar edhe për faktin se Agjensioni Kundër Korrupsionit (AKK), kanë kërkuar nga autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë një raport mbi ngjarjet që ndërlidhen me konkursin e fundit për noterë.

Lidhur me dyshimet për konflikt të interesit në procesin e rekrutimit për noterë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ditë më parë ka raportuar para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Për të dhënë sqarime lidhur me pretendimet për parregullsi në procesin e rekrutimit për noterë, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri kishte organizuar edhe një konferencë për media.

Gjatë konferencës për media, Tahiri e ka vlerësuar lartë organizimin e këtij procesi të rekrutimit duke siguruar qytetarët se procesi është zhvilluar në përputhje me procedurat e rekrutimit dhe pa shkelje ligjore.

Edhe anëtarja e komisionit për dhënien e provimit të noterisë, Merita Kostanica ka thënë se puna e komisionit është bërë në mënyrë profesionale.