Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komisioni Konsultativ për Politikë Ndëshkimore takohet me shoqërinë civile për reformën në këtë politikë

Me temën “Reforma në politikën ndëshkimore”, kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh kryesues i Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore, Enver Peci, bashkë me anëtarët e këtij Komisioni kanë mbajtur sot takim me shoqërinë civile që monitoron sistemin e drejtësisë në vend.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikatë të Gjykatës Supreme, ku thuhet se kryetari Peci e ka cilësuar  të jashtëzakonshëm kontributin e shoqërisë civile për sistemin e drejtësisë.

“Ne, si komision, kemi nevojë që nga monitoruesit e OJQ-ve, të marrim in-pute gjatë monitorimit të gjykimeve. Na interesojnë disa çështje me rëndësi, si p.sh., sa përfshihen në arsyetimin e dënimeve edhe rrethanat që nuk përmenden në gjykim. Çka po prezantohet nga prokurori, mbrojtja dhe çka po arsyetohet në vendimet gjyqësore. Kjo është me rëndësi për ne, që të shohim se a po i përmbahen gjyqtarët Udhëzuesit dhe njëkohësisht a po i japin arsyet e prezantuara – të faktuara, apo vetëm po imagjinohen ato rrethana të përmendura, pa u vërtetuar”, ka thënë kryetari Peci.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në këtë takim theksuan nevojën që të forcohen mekanizmat që detyrojnë gjyqtarët të zbatojnë udhëzuesit e Gjykatës Supreme duke ndërlidhur këtë me vlerësimin e performancës së tyre dhe me zbatimin e masave ligjore, ndërkaq në të ardhmen, udhëzuesit të bëhen të detyrueshëm.

“Vërejtja e tyre ishte në dënimet e shqiptuara me kusht e të paarsyetuara, mos-arsyetimin e rrethanave rënduese dhe lehtësuese. Po ashtu, u shpreh nevoja e kufijve në diskrecionin e gjyqtarëve në praktikë.” thuhet tutje në komunikatë.

Anëtarët e Komisionit sot e theksuan nevojën që raportimi i OJQ-ve të përfshijë edhe rastet pozitive, kur gjyqtari e ka zbatuar udhëzuesin, e ka arsyetuar profesionalisht një vendim, në mënyrë që kjo të shërbejë për të tjerët, qoftë si nxitje apo si shembull për t’u ndjekur.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga BIRN, GLSP, ROLAG, CLARD dhe ATRC.

Ndryshe, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova muajin e kaluar kanë publikuar raportin e 15-të të monitorimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

RAPORTIO-I-MONITORIMIT-2020-WEB.pdf (kallxo.com)

Raporti titullohet “Përkëdhelja e Korrupsionit” dhe në të janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2020, ku edhe është rekomanduar nxjerrja e një udhëzuesi të veçantë për rastet e korrupsionit.

Ky raport i monitorimit është fokusuar në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2020 dhe gjithashtu në analizën e performancës së gjyqësorit në trajtimin rasteve të korrupsionit.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta të korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.