Komisioni i Venecias: Zgjedhja e anëtarëve të KPK-së nga Kuvendi nuk është në kundërshtim me standardet evropiane

Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin ligjor lidhur me propozim-ndryshimet që po planifikohen të bëhen në Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Një nga propozimet rrënjësore dhe që ngjalli debat në opinion është zvogëlimi i përbërjes së anëtarëve të Këshillit dhe mënyra e zgjedhjes së tyre.

Propozimet aktuale janë që nga 13 anëtarë të KPK-së numri të ulet në shtatë.

Në Projektligj është propozuar që nga katër anëtarë prokurorë, njëri të zgjidhet nga Kuvendi ndërsa tre të tjerë nga sistemi prokurorial, si  dhe tre anëtarë joprokurorë të cilët zgjidhën nga Kuvendi.

Lidhur me këto propozime është kërkuar edhe opinion ligjor nga Komisioni i Venecias.

Sipas vlerësimit të Komisionit të Venecias elementi qendror i reformës- balanci ndërmjet anëtarëve që do të zgjidhen nga prokuroria dhe anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi nuk është në kundërshtim me standardet evropiane.

“Prokurorët e zgjedhur nga kolegët e tyre edhe më tej përbëjnë një pjesë qenësore të këtij organi (tre nga shtatë anëtarë)”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Përkundër kësaj, në opinion thuhet se megjithatë reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj shumicës qeverisëse.

Sipas opinionit të Komisionit, në draftin e Projektligjit aktual është propozuar që të gjithë anëtarët joprokurorë të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend, por që sipas këtij opinioni, një propozim i tillë rrit rrezikun e ndikimit të padrejtë politik.

Rekomandimi i Komisionit është që duhet të rishqyrtohet zgjedhja me shumicë të thjeshtë në atë mënyrë që të zëvendësohet me një sistem proporcional të zgjedhjeve ose emërimi i disa anëtarëve joprokurorë  të bëhet nga institucionet e jashtme të pavarura ose shoqëria civile.

Komisioni ka rekomanduar që në Projektligj duhet të konsiderohet edhe mbajtja e kryeprokurorit të KPK-së në mënyrë “ex officio”, si anëtar i KPK-së.

Sipas këtij opinioni, është e nevojshme të sigurohet që përbërja e anëtarëve joprokurorë të KPK-së të jetë mjaftueshëm pluraliste, në mënyrë që të anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse nuk do të mund të qeverisin të vetëm.

Po ashtu, sipas Komisionit përbërja e re e KPK-së mund të fillojë punën vetëm kur të gjithë anëtarët janë zgjedhur. Zëvendësimi i anëtarëve aktualë që janë në detyrë me ata të rinj mund të bëhet vetëm nëse një gjë e tillë arsyetohet reformë të jashtëzakonshme të sistemit të drejtësisë në rastin tjetër anëtarët që janë aktualisht në detyrë – ose në të paktën disa prej tyre – duhet të lejohen të vazhdojnë të shërbejnë deri në përfundimin e mandatit të tyre.

Më 26 tetor 2021, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias për projekt – amendamentet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Në vlerësimin e Ministrisë, me qëllim të luftimit të menaxhimin korporatist brenda sistemit të prokurorisë numri i anëtarëve prokurorë të Këshillit duhet të reduktohet, ndërsa përqindja e anëtarëve joprokurorë duhet të rritet, dhe procedura për përzgjedhjen e tyre duhet ndryshuar.

Para publikimit të opinionit, përfaqësues nga Komisioni i Venecias zhvilluan takime me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, sistemit të drejtësisë si dhe me shoqërinë civile.

Rekomandime të tjera të Komisionit të Venecias janë si më poshtë:

  • Autoritetet duhet të konsiderojnë mbajtjen e Kryeprokurorit të KPK-së në mënyrë ex officio, si anëtar i KPK-së (me një rregullim përkatës të përbërjes së KPK-së, nëse është e nevojshme);
  • Ligji duhet të përcaktojë më qartë sferat përkatëse të kompetencave të Kryesuesit dhe të anëtarëve të KPK-së;
  • Procedura e zgjedhjes së anëtarëve jo prokurorë nga Kuvendi është mjaft komplekse dhe në të njëjtën kohë e paqartë. Kjo hap derën për manipulime, kështu që Komisioni i Venecias rekomandon që kjo procedurë t’i nënshtrohet një rishikimi të thellë; Autoritetet duhet të konsiderojnë modele alternative që sigurojnë përbërjen pluraliste të anëtarëve KPK-së (si p.sh. sistemi proporcional i zgjedhjes së anëtarëve jo prokurorë);
  • Po ashtu, procedura e parazgjedhjes së anëtarëve prokurorë i jep shumë pushtet komisionit zgjedhor të KPK-së, i cili është i dominuar nga anëtarët jo prokurorë. Nëse është i nevojshëm një lloj trupi filtrues, ai duhet të përbëhet nga prokurorët, ose të paktën shumica e prokurorëve.
  • Dispozitat kalimtare që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë vendeve anëtarët aktualë të KPK-së, dhe duke lejuar KPK-në në ripërtërijë të funksionojë vetëm me anëtarët jo prokurorë në përbërjen e saj është e rrezikshme për pavarësinë e Prokurorisë dhe kjo çështje duhet rishikuar.

Përbërja e re e KPK-së mund të fillojë punën vetëm kur të gjithë anëtarët janë zgjedhur. Zëvendësimi i anëtarëve aktual që janë në detyrë me ata të rinj mund të bëhet vetëm nëse një gjë e tillë arsyetohet reformë të jashtëzakonshme të sistemit të drejtësisë në rastin tjetër anëtarët që janë aktualisht në detyrë – ose në të paktën disa prej tyre – duhet të lejohen të vazhdojnë të shërbejnë deri në përfundimin e mandatit të tyre.

Lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias, ka komentuar edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu përmes një statusi në “Facebook”, është shprehur shumë e lumtur që sipas saj Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim pozitiv për nismën ligjore për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Postimi i plotë i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu:

“Jam shumë e lumtur që Komisioni i Venecias, përmes opinionit i cili tashmë është publik, ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të KPK, nga 13 në 7 e po ashtu ka dhënë rekomandim pozitiv për ndërprerjen e mandatit, për disa anëtarë të KPK.

Ne do t’i ndjekim pikë për pikë rekomandimet e Venecias dhe e falenderojmë për bashkëpunimin. Të premten në orën 10:00, grupi punues vazhdon punën në projektligje.

E kuptoj që reforma në drejtësi nuk i shkon për shtati as disa portaleve por nuk kemi çfarë t’ju bëjmë përveç se të angazhohemi shumë më shumë deri sa Kosova të jetë shtet i së drejtës”.