Foto: Kallxo.com - Ilustrim

Komisioni Evropian: Rastet e zyrtarëve të lartë në gjykata duhet të trajtohen me prioritet

Gjetjet e Komisionit Evropian në Raportin për Kosovën 2020 theksojnë se standardi që duhet plotësuar nga fusha e drejtësisë për t’u arritur liberalizimi i vizave është përfshirja e të gjitha rasteve kriminale të profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komisioni ka vlerësuar se mekanizmi i historisë së rasteve të trajtuara për liberalzim të vizave i themeluar në 2015 deri në maj të 2020 përshin 66 raste.

Për 56 raste të shënjestruara janë ngritur aktakuza, 36 prej tyre kanë të bëjnë për vepat penale të korrupsionit ndërsa 20 kanë të bëjnë me krim të organizuar.

Komisioni ka gjetur se 13 raste të shënjestruara për liberalizim të vizave kanë verdikt përfundimtar, duke shpallur fajtorë 15 persona për korrupsion.

Komisioni rekomandon që të gjitha rastet e shënjestruara për liberalizmin e vizave ku përfshihen zyrtarët e lartë shtetërorë duhet të trajtohen me prioritet dhe seriozitetin më të madh.

Agjencia Kundër Korrupsionit, si organ i specializuar në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, ka dërguar në  Prokurori më  shumë se 1 mijë raste për ndjekje penale dhe 100 referime vetëm në vitin 2019.

Prokuroria kishte ngritur 42 aktakuza për rastet e dërguara nga Agjencia Kundër Korrupsionit e prej këtyre 11 raste kishin verdikt final nga Gjykata në vitin 2019.

Nga gjetjet e Komisionit rezulton se nga AKK janë referuar 419 raste të reja të veprave penale kundër detyrës zyrtare ku janë përfshirë 896 individë.

Po ashtu kishte 6 raste të reja lidhur me korrupsionin dhe prokurimit publik si dhe 502 raste të krimeve ekonomike.

KALLXO.com ka raportuar se në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave që kanë vendime të formës së prerë janë  rasti i ish-prokurores Vahide Badivuku,  ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Salih Mekaj, ish-sekretari i Ministrise së Shëndetësisë Ilir Tolaj, ish-kryeatrit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese Milot Vokshi. Ish-kryetarit të Lipjanit Shukri Buja.

Pesë prej këtyre rasteve kishin përfunduar me vendim lirues.

Hulumtimi i BIRN-it  ka gjetur shkelje dhe mospërputhje lidhur me rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Rekomandimet e BIRN dhe IKS në lidhje me rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave janë:

Rritja e  komunikimit ndërmjet KPK-së dhe KGJK-së përmes takimeve të përbashkëta, me qëllim të koordinimit dhe harmonizimit të të dhënave,

Secili gjyqtar që ka lëndë të shënjestruara të mbështetet nga bashkëpunëtorë profesionalë për t’i ndihmuar në trajtimin e këtyre lëndëve,

Prokurorët që kanë raste të shënjestruara të mbështeten me bashkëpunëtorë profesionalë,

Prokurorëve të lëndëve të shënjestruara t’u bëhet e mundur që të mos e humbasin asnjë seancë duke i zëvendësuar ata në përfaqësim në lëndët tjera dhe të shkarkohen nga lëndët e tjera,

Të refuzohen kërkesat për transferim apo avancim të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë lëndë të shënjestruara në punë.