Foto: Kallxo.com

Komandanti i zjarrfikësve në Kamenicë dënohet për mbushjen e veturës private me derivate nga buxheti i shtetit

Riza Bunjaku, Komandant i shërbimit të zjarrfikësve në Kamenicë, është dënuar sot me 5 muaj burg nga gjykata në Gjilan pasi pranoi fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Janë marrë parasysh rrethanat renduese dhe ato lehtësuese. Si rrethanë veçanërisht lehtësuese është marrë pranimi i fajësisë dhe sjellja korrekte e të akuzuarit në seancë”, tha shkurt gjykatësi Agim Ademi, duke e arsyetuar vendimin e tij.

Bunjaku akuzohet se ka keqpërdorur detyren e tij zyrtare duke mbushur veturën e tij private me derivate dhe duke i shënuar ato kinse i ka shpenzuar për veturën zyrtare.

Në seancen e sotme në gjykatën e Gjilanit pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Arben Ismajli, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë.

“E pranoj fajësinë për veprën penale e cila më vihet në barrë. Pranimin e fajësisë e bëj me vetëdeshirë dhe pa u ndikuar nga askush. I di edhe pasojat e pranimit të fajësisë“, tha i akuzuari Bunjaku i cili u paralajmërua për pasojat e pranimit të fajësisë nga gjykatësi Agim Ademi.

Kurse Prokurori Arben Ismajli deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

“Nuk e kundërshtoj pranimin e fajësisë nga i akuzuari pasi e njëjta ka mbështetje në provat e ofruara në aktakuzë”, tha shkurt Prokurori Ismajli.

Në fund të seancës, duke u deklaruar për dënimin, Prokurori kërkoi qe të mirren parasysh rrethanat si ato lehtësuese ashtu edhe ato rënduese, kurse i akuzuari kërkoi një dënim sa më të butë.

Sipas Prokurorisë, Riza Bunjaku, në qershor të vitit 2019, në Kamenicë në një pompë të derivateve, si person zyrtar në cilësinë e Komandantit të shërbimit të  zjarrfikësve duke shfrytëzuar detyren e tij zyrtare duke e mbushur automjetin e tij privat me derivate prej 58 litra, në vlerë prej 64.96 euro dhe duke i dhënë të dhënat e automjetit zyrtar.