Kolegët nga Prizreni e zgjedhin Ariana Shajkovcin anëtare të Këshillit Prokurorial

Ariana Shajkovci prokurore në departamentin e Krimeve të Rënda dhe Musli Gashi prokuror në departamentin e përgjithshëm sot i janë nënshtruar votimit që është mbajtur në objektin e Prokurorisë së Prizrenit.

Zyrtari i kësaj Prokurorie Lutfi Morina për KALLXO.com ka bërë me dije se 24 prokurorë kanë marrë pjesë në votim.

Prokurorja Ariana Shajkovci është zgjedhur anëtare e KPK-së nga Prokuroria e Prizrenit me 16 vota, ndërsa prokurori Musli Gashi kishte marrë 7 vota, dhe një fletëvotim është shpallur i pavlefshëm.

Këshilli Prokurorial i Kosovës është në procedurë të zgjedhjes së shtatë anëtarëve të rinj të këtij këshilli nga radhët e Prokurorive Themelore, përkatësisht nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Të shtatë anëtarët e rinj të KPK-së do të kenë mandat pesë vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje.

17 prokurorë nga Prokuroritë Themelore të Pejës, Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit, Gjakovës dhe Ferizajt kanë aplikuar për anëtar të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Konkursi është shpallur me datë 8 tetor 2020 dhe kjo është lista përfundimtare e prokurorëve që kanë aplikuar për anëtar të KPK-së.

Pasi të përfudon ky proces dhe të kompletohet Këshilli Prokurorial, një garë tjetër do të jetë në Prokurorinë e Shtetit, ajo për kryeprokurorë të 7 Prokurorive Themelore.

Kujtojmë se pak para shpalljes së konkursit për zgjedhjen e kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, anëtarët e deritanishëm të KPK-së Zejnullah Gashi, Arben Ismajli e Dëshirë Jusaj dhanë dorëheqje nga kjo pozitë.

Menjëherë pas dorëheqjes së këtyre anëtareve të KPK-së, ka pasur reagime nga Ambasada Amerikane në Kosovë, të cilët janë tërhequr nga monitorimi i përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe Kryeprokurororëve të Prokurorive Themelore.

Tërheqja nga monitorimi siç ka thënë Ambasada është bërë për shkak se këto procese janë “prishur rrënjësisht”.

“Për vite, Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe për të zgjedhur Kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur rrënjësisht”, thuhet në njoftimin e ambasadës.