Foto: KALLXO.com

KGJK vlerëson se nuk ka mandat ligjor të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit për gjobë dhe përjashtim të avokatit Besnik Berisha në rastin e Shaban Gogajt

Oda e Avokatëve kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimeve në lidhje me shqiptimin e gjobës dhe përjashtimin e avokatit Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogajt, i cili po azkuohet për vrasjen e Agonis Tetajt.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës lidhur me këtë kërkesë së Këshillit të OAK, ka vlerësuar se nuk është kompetent të bëjë vlerësimin e vendimeve të seancave gjyqësore.

“KGJK nuk mund të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë se vendimeve të seancave gjyqësore, për shkak se nuk ka mandat kushtetues dhe ligjor të bëjë një gjë të tillë, sepse roli dhe funksioni i saj lidhet me administrimin e gjyqësorit në përgjithësi, e kurrsesi me ndërhyrje në punën e gjyqtarëve të cilët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta”, thuhet në vendimin e KGJK-së të siguruar nga KALLXO.com.

Ndërsa kërkesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares së rastit, KGJK e ka adresuar të kryetari i gjykatës së Pejës, Armend Berisha.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se kryetari i Gjykatës së Pejës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Husaj- Rugova.

Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë në të kundërtën nëse nuk e cakton, do të i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.