Pamje nga mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

KGjK u vazhdon edhe për një vit transferimin e jashtëzakonshëm tre gjyqtarëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e 232-të të mbajtur online për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID-19, ka vendosur që gjyqtarëve Nushe Kuka Mekaj, Lutfi Shala, Gordana Virijević dhe Boban Aleksić tu vazhdohet transferimi edhe për 1 vit.

Nushe Kuka Mekaj, është Gjyqtare në Gjykatën e Pejës, e njëjta me punë është e transferuar në Gjykatën e Prishtinës.

Lutfi Shala, është Gjyqtar në Gjykatën e Gjakovës – Dega Malishevë por i njëjti është i transferuar me punë në Gjykatën e Prishtinës.

Gordana Virijevic është Gjyqtar në Gjykatën e Prishtinës dhe është i transferuar me punë në Gjykatën e Mitrovicës.

Boban Aleksic, është Gjyqtar në Gjykatën e Prishtinës por aktualisht i transferuar në Gjykatën e Gjilanit – Dega në Novobërdë.

Gjyqtarja Nushe Kuka- Mekaj dhe gjyqtari Lutfi Shala aktualisht janë duke shërbyer në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Të njëjtit në këto Gjykata ishin transferuar në maj të vitit 2018, ky transferim së pari ishte bërë në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh e më pas ishte vazhduar përsëri, e e gjithë kjo me qellim të ngritjes së efikasitetit të punës në Gjykatën e Prishtinës, përkatësisht ngarkimit dhe zgjidhjes së lëndëve të shenjëzuara me “LV”, lëndët këto të shenjëzuara për liberalizimin e vizave, me qëllim që të ndikohej në lehtësimin e procedurave për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Vazhdimin e kohëzgjatjes së transferimit KGjK e bëri me pëlqimin e vetë gjyqtarëve si dhe të kryetarëve të Gjykatave ku po shërbejnë.

KGjK mbledhjen e mbajti online përmes aplikacionit “zoom”, kjo për shkak të situatës së krijuar pas shfaqjes së virusit COVID-19.

Gjatë kësaj mbledhje KGjK mori vendim që të aprovohet edhe draft raporti vjetor i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2019, raport ky i cili do t’i paraqitet Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu gjatë kësaj mbledhjeje u vendos që gjyqtari Aziz Shaqiri të zgjidhet nënkryetar i Gjykatës së Gjilanit.

Ndër këto vendimi, KGjK vendosi që  për shkak të rrethanave të krijuara procedurat e ndërmjetësimit të mund të zhvillohen online nëpër Gjykata.

Programi i USAID-it “Drejtësia komerciale”, me pajtimin e kryetares së Gjykatës së Prishtinës, Afërdita Bytyçi kanë kërkuar nga KGjK që tu krijohet mundësia e zhvillimit online të procedurave të ndërmjetësimit, kërkesë kjo e cila u aprovua nga KGjK-ja.

Pika të rendit të ditës së kësaj mbledhjeje ishin: Shqyrtimi i ekstrakteve të disa procesverbaleve të kaluara, shqyrtimi i draft raportit vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2019, transferimi i jashtëzakonshëm i gjyqtarëve tre gjyqtarëve: Nushe Kuka Mekaj, Lutfi Shala, Gordana Virijević dhe Boban Aleksić si dhe shqyrtimi i propozimit të Gjykatës Themelore në Gjilan për nënkryetar të Gjykatës.