KGjK shpallë konkurs për gjyqtarë në Gjykatën Supreme dhe të Apelit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka votuar për aprovimin e pikave të rendit të ditës për shpalljen e konkurseve të brendshme për gjyqtarë në Gjykatën Supreme dhe atë të Apelit.

Në mbledhje u përmend që emërimi i gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Apelit është tejet i rëndësishëm dhe një gjë e tillë u konsiderua si tepër e nevojshme dhe urgjente.

Anëtarët e Këshillit gjatë diskutimit për këtë pikë të rendit të ditës, e theksuan nevojën e madhe që plotësimi i vendeve të lira të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të jetë nga fusha civile.

Në Gjykatën e Apelit, KGjK vendosi që të shpallë 11 pozita të lira për gjyqtarë ndërsa në Gjykatën Supreme, u shpallën dy pozita të lira për gjyqtarë.

KGjK votoi edhe për themelimin e Komisioneve Vlerësuese për Intervistim, Vlerësim dhe Rekomandimin e kandidatëve për pozitën e Kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Novobërdë, si dhe u bë themelimi i Paneleve për Shqyrtimin e Aplikacioneve dhe Intervistimin e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Supreme dhe Gjykatën e Apelit.