KGJK: Ndarja e 6 milionë eurove më pak është cenim të pavarësisë së gjyqësorit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka konsideruar si cenim të pavarësisë së gjyqësorit mosrealizimin e kërkesës për buxhet dhe ndarjen e 6 milionë euro më pak nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

“Përkundër kërkesave të vazhdueshme dhe të arsyeshme të KGJK-së, buxheti i aprovuar nga Qeveria dhe Kuvendi është më i vogël për 6,439,680.84 euro dhe si i tillë ka pamundësuar arritjen e objektivave të gjyqësorit. Për më tepër, mosmiratimi i kërkesave buxhetore është cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.

Këto u bën të ditura në mbledhjen e fundit të këtij institucioni përderisa theksuan se një buxhet i tillë e pamundëson arritjen e objektivave të gjyqësorit.

Përpos buxhetit në këtë takim u diskutua dhe u aprovua konkursi për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan si dhe u aprovua rishpallja e konkursit të brendshëm për tri pozita të lira për gjyqtarë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me katër (4) pika të mbyllura për: shqyrtimin e një (1) ankese ndaj vendimit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve, shqyrtimin e ankesave të kandidatëve për konkursin e rekrutimit të gjyqtarëve në gjykatat themelore, shqyrtimin e kërkesës për zgjatjen e afatit të panelit hetimor për lëndën disiplinore Nr.AD/KGJK/10/2021/GJTHPE-AD/GJTHPE/15/21 dhe themelimin e Panelit Hetimor në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/01/2022/ GJS-GJS-2021-015.