KGjK mban procesin zgjedhor për dy anëtarë nga Gjykatat Themelore - LIVE

Në listën përfundimtare të kandidatëve nga Gjykatat Themelore ishin Arjeta Sadiku nga Gjykata e Prishtinës, Besnik Bislimaj nga Gjykata e Gjakovës, Fidan Hoxha nga Gjykata e Prizrenit, Mirlinda Bytyqi nga Gjykata e Ferizajt, Veli Kryeziu nga Gjykata e Gjilanit dhe Veton Ademaj nga Gjykata e Pejës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, siç është përcaktuar me Nenin 108 të Kushtetutës, dhe me nenin 8 të Ligjit 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës  përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale, dy nga të cilët janë anëtarë të Gjykatave Themelore, të cilët kanë mandat 5 vjeçar pa të drejtë rizgjedhje.

Kujtojmë se në bazë të rregullores për procedurën dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve  të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pas përfundimit të zgjedhjeve në Gjykatat Themelore, Komisioni ka përpiluar listën e kandidateve të nominuar nga gjykatat përkatëse si dhe ka njoftuar të gjithë Gjyqtarët e Gjykatave Themelore në lidhje me kandidatët e zgjedhur dhe ditën e mbajtjes se tubimit zgjedhor.