Gjykata e Gjilanit

Këshilltarit të Ambasadës së Kosovës në Vjenë i refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës

 

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka hedhur kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj këshilltarit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë të Austrisë, Isa Kosumi.

Ai akuzohet se edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë  nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda afatit.

Lajmin për Kallxo.com e ka bërë të ditur Sabit Shkodra, zyrtar për informim në Gjykatën e Gjilanit.

“Po është refuzuar kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit në fjalë. Këtë vendim e ka marrë Gjyqtarja e çështjes”, ka thënë Shkodra.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Isa Kosumi, nga 1 e deri më 31 mars 2019, në kohë të papërcaktuar, në cilësinë e këshilltarit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë të Austrisë, edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë sipas, i njëjti nuk e ka bërë një gjë brenda afatit ligjor, për vitin paraprak të periudhës kohore nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2018.