Foto: KPK

Këshilli Prokurorial konfirmon 6 kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar listën me 6 kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Lista e kandidatëve të konfirmuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Arben Ismajli – prokuror në Prokurorinë e Apelit; Armend Hamiti – prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; Blerim Isufaj – Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale; Kujtim Munishi – Kryeprokuror në Prokurorinë e Prishtinës; Lulzim Sulejmani – prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipdon Fazliu – prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Më tej, pas diskutimeve, anëtarët e KPK-së kanë konfirmuar listën prej gjashtë kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftimin e KPK-së pas mbledhjes së mbajtur, ku u konfirmua lista me kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit.

Njoftimi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është bërë në fillim të muajit janar.

Afati për aplikim ka qenë për 15 ditë që nga 17 janari.

Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i skadon mandati në muajin prill.