Kërkohet paraburgim për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar nga Gjykata caktimin e paraburgimit për dy të ndaluarit, S.T. dhe Sh.K.  nga Vushtrria, të arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale – ushtrim i ndikimit.

I dyshuari i parë është Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë ndaluar pas publikimit në medie të një video-incizimi, ku pretendohet se dëgjohet Salih Tahiri dhe i dyshuari tjetër Sh.K.

Me t’u publikuar video-incizimi, kryeprokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Shyqyri Syla, kishte urdhëruar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e këtij video-incizimi, ku pas hetimeve janë ndaluar dy të dyshuarit, të cilët aktualisht janë në ndalim 48 orësh.

Arrestohet vëllai i kryetarit të Vushtrrisë

Seanca dëgjimore për  caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Mitrovicës.