Kërkohet paraburgim ndaj ngasësit që dyshohet se shkaktoi aksident vdekjeprurës
Prokuroria e Gjilanit, përmes një komunikate, më 30.08.2024, ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e paraburgimit nga Gjykata e Gjilanit, ndaj Z.D. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti i ka shkaktuar lëndime vdjekjeprurëse R.XH. nga pakujdesia gjatë drejtimit të veturës.
Prokuroria pretendon se aksidenti me lëndime të natyrës vdekjeprurëse ka ndodhur më 29.08.2024, rreth orës 15:10 minuta, në rrugën Gjilan – Preshevë, më saktësisht në fshatin Velekincë.
Gjithnjë sipas prokurorisë, i pandehuri Z.D., nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik, për shkak se nuk e ka përshtatur shpejtësinë e automjetit në mënyrë adekuate gjatë ngasjes dhe duke mos pasur kujdesin e duhur e ka goditur këmbësorin, tani të ndjerin R.Xh..
I ndjeri përshkruhet të ketë qenë duke e kaluar rrugën në momentin kritik.
Për shkak të lëndimeve të pësuara, R.Xh. potencohet të jetë dërguar për ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan ku edhe ka ndërruar jetë.
Kërkesa për paraburgim është parashtruar për kohëzgjatjen prej 30 ditësh për shkak të dyshimit të bazuar të kryerjes së veprës – Rrezikimi i trafikut publik – i paraparë me Kodin Penal.
Sipas njoftimi Z.D. me urdhër të prokurorit kujdestar gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.