Kërkesa për lirim të Thaçit, avokati kërkon që Prokuroria të rishqyrtojë redaktimet në urdhërarrest

Në konferencën për ecurinë e çështjes lidhur me ish-eprorët e UÇK, avokati i Hashim Thaçit, David Hooper tha se nuk pranojnë kriteret e përmendura për ish-Presidentin e Kosovës.

“Në seancën e parë, në javën e kaluar kemi cekur kërkesën për lirimin me kusht të zoti Thaçi, nuk pranojmë kriteret e cekura për zotin Thaçi, duam të aplikojmë mënyrat se si duhet të realizohet lirimi me kusht” tha avokati Hooper.

Avokati i Thaçit tha dhe se sa i përket urdhërarrestit për çështjen në fjalë janë bërë redaktime të çuditshme.

“Duhet të kemi nxjerrje të plotë të argumenteve që janë vënë në dispozicion nga ju zoti gjykatës, sa i përket urdhërarrestit për çështjen në fjalë. Në urdhërarrestin nga prokuroria, këtu ka redaktime të çuditshme, redaktime të tilla s’mund të justifikohen, referencat tregojnë për keqsjellje në llogari të zotit Thaçi përgjatë dokumentacionit”, tha avokati Hooper.

Ai kërkoi që Prokuroria të rishqyrtojë redaktimet e bëra.

“Prokuroria të rishqyrtojë dhe njëherë redaktimet dhe të ketë versione sa më pak të redaktuara te dokumentacionit dhe të gjitha provat të jenë të cituara në fund të faqes në kërkesën e Prokurorisë dhe ky dokumentacion t’i vihet mbrojtjes në moment të duhur dhe atë brenda 3 ditësh”, shtoi avokati Hooper.

Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Hashim Thaçi akuzohet po akuzohet për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë të personave.

Krime këto që u kryen midis marsit 1998 dhe 1999 në Kosovë dhe Shqipëri.

Paraqitja e parë e Thaçit në Gjykatën Speciale u mbajt më 9 nëntor. Thaçi u deklarua i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

Në lidhje me këto akuza javën që shkoi ish kreu i UÇK-së Hashim Thaçi deklaroi se i ka kuptuar dhe se i hedhë poshtë të gjitha.

“I dëgjova i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”, tha shkurt Thaçi.