KEK-u obligohet të paguajë mbi 25 mijë euro për djegien e shtëpisë së një qytetari nga energjia elektrike

Koorporata Energjetike e Kosovës (KEK) është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit në shumë prej 25 mijë e 174 euro e 75 centë ndaj paditësit M.F.

KEK-u duhet të paguajë dëmin për djegien e shtëpisë të M.F. si pasojë e zjarrit të shkaktuar nga energjia elektrike thuhet në aktgjykimin e 4 nëntorit të Gjykatës së Mitrovicës.

M.F. kishte paraqitur padi për kompensimin e dëmit pasi që më 27 jananr 2013, atij i ishte djegur kati përdhesë dhe ballkoni i shtëpisë si pasojë e zjarrit të shkaktuar nga energjia elektrike.

KEK-u në përgjigjen në padi e kishte mohuar përgjegjësinë e dëmit material pasi sipas saj zjarri nga energjia elektrike është shkaktuar nga trafostacioni i instaluar nga vet paditësi M.F.

Mirëpo gjykatësi Besnik Feka, pas shqyrtimit të provave ka gjetur se paditësi M.F. ka instaluar trafostacionin pasi energjia elektrike nuk kishte tension të mjaftueshëm për të funksionuar pajisjet shtëpiake.

Sipas gjykatës, demi i shkaktuar, burimin primar dhe te vetëm e ka pasur furnizimin jocilësor dhe në parametrat e duhur me energji elektrike nga e paditura me fuqi nën atë të lejuar, duke pamundësuar paditësin që të ketë furnizim normal dhe cilësor me energji elektrike në shtëpinë e tij.

Tutja gjykata ka gjetur se tensioni i ulët i energjisë elektrike e ka shtyrë paditësin që përmes vendosjes së trafostacionit të tipit manual të marrë përsipër një rrezik të pamerituar dhe shkaktuar pa fajin e tij, i cili rrezik ka qenë i padrejtë në raport me konsumatorin shtëpiak dhe ka shkaktuar dëmin-zjarrin në shtëpinë e paditësit.

Andaj KEK-u detyrohet nga gjykata që përpos dëmit të përgjithshëm të paguajë edhe kamatën prej 8 % në të holla për të cilën sipas gjykatës është në vonesë nga data  23 dhjetor 2013.