foto: Ilustrim

Katër vite pa vendim final për vdekjen e të riut nga Prishtina, gjykata për dy vite nuk caktoi rigjykimin

Fadil Dushi ka vite që po bredh rrugëve të gjykatës për të kërkuar drejtësi për vdekjen e djalit të tij.

Kanë kaluar katër vite nga vdekja e birit Hekuran Dushi dhe akoma sistemi gjyqësor nuk ka arritur që të nxjerrë ndonjë vendim final në lidhje me vdekjen e tij.

Edhe pse kaluan dy vite nga koha kur rasti u kthye në rigjykim, Gjykata e Prishtinës ende nuk arriti ta caktojë seancën për rigjykimin e rastit.

Tetëmbëdhjetë vjeçari Hekuran Dushi, në ditën e 8 majit të vitit 2017 ishte duke kaluar zebrat në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, kur ishte goditur nga një veturë dhe nga lëndimet më vonë kishte vdekur.

Për vdekjen e tij Prokuroria e kishte bërë përgjegjës të riun Alban Krasniqi. Sipas prokurorisë, Krasniqi gjatë kohës sa po e voziste veturën “Golf 1”, nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe e kishte goditur në zebra tashmë të ndjerin Hekuran Dushi, duke e hedhur në trotuar në largësi prej 16.6 metrave.

Aktakuza përshkruan se si rezultat i kësaj goditje i ndjeri kishte ndërruar jetë disa javë më vonë.

Krasniqi para gjykatës së Prishtinës e kishte pranuar fajësinë dhe pak ditë më vonë ishte dënuar me 1 vit burgim.

Me dënimin prej 1 viti nuk ishte pajtuar Prokurori i Shtetit dhe as familja e të ndjerit, të cilët kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Apeli pasi i kishte shqyrtuar ankesat kishte vlerësuar se aktgjykimi i gjyqtares Anita Krasniqi – Prenaj ishte i përfshirë në shkelje dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Shkalla e dytë kishte vlerësuar se Gjykata e Prishtinës nuk i kishte vlerësuar si duhet rrethanat rënduese dhe se i kishte mbivlerësuar ato lehtësuese kur kishte vendosur që Alban Krasniqi të dënohet me 1 vit burgim.

Sipas Apelit vepra penale për të cilën është akuzuar Krasniqi, dënohet deri në 8 vite burg ndërsa Gjykata e Prishtinës, nuk i kishte vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese kur e kishte dënuar me vetëm 1 vit burgim të akuzuarin.

Sipas gjykatës së shkallës së dytë, gjyqtarja Anita Krasniqi – Prenaj nuk e kishte nënshkruar procesverbalin e shqyrtimit fillestar dhe si pasojë e mos nënshkrimit të saj, është dashur që rasti të kthehet në rigjykim.

Vendimi për ta kthyer rastin në rigjykim ishte nxjerrë në muajin prill të vitit 2019 ndërsa që nga ajo kohë edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite nuk ka filluar procesi i rigjykimit.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me mos caktimin e procesit gjyqësor.

Sipas përgjigjes së zëdhënëses së gjykatës Mirlinda Gashi, gjyqtarja të cilës i është caktuar rasti për rigjykim ka numër të madh të lëndëve dhe akoma nuk ka arritur që ta caktojë mbajtjen e rigjykimit.

“Në shtator të vitit 2020 lënda i është caktuar gjyqtares së kësaj çështje dhe e njëjta deri më tani nuk ka ndërmarr ndonjë veprim procedural për shkak të volumit të lëndëve të vjetra, pasi që ende i ka në procedurë lëndë të vitit 2016”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.