Katër vjet burgim të akuzuarit për shtytje në vetëvrasje të së fejuarës

L. Sh., i akuzuar për shtytje në vetëvrasje të B. Y., është dënuar sot me 4 vjet burgim, pasi u gjet fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. L. Sh. akuzohet se kishte ushtruar presion psikik ndaj tashmë të ndjerës dhe se kjo e fundit ka kryer vetëvrasje pas kontaktit të drejtpërdrejtë me të akuzuarin përmes një videoje.

Ai nga Gjykata e Mitrovicës është shpallur fajtor, sepse me veprimet e përshkruara në Dispozitiv të Aktakuzës ka kryer veprën penale: “shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje”, nga Neni 117, Paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjykata konform dispozitave përkatëse të Kodit Penal, të Kodit të Procedurës Penale të njëjtin e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjetësh, i cili dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi. Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe në masën e arrestit shtëpiak.” – ka thënë gjykatësja, Marigona Lajqi.

Pas Rigjykimit, Gjykata e Themelore në Mitrovicë ka marrë parasysh Udhëzimet e Gjykatës së Apelit, sa i përket vlerësimit të disa deklaratave të dëshmitarëve dhe deklaratat e të akuzuarit të dhëna në Polici, ku i njëjti është shpallur fajtor.

“I akuzuari është fajtor për veprën penale. Është vërtetuar nga deklaratat e dëshmitarëve F. Y., Sh. Y., B. Y., dhe B. K. – kjo e fundit shoqe e të ndjerës, ku e njëjta në shqyrtimin gjyqësor ka shpjeguar se si e ndjera kishte treguar për maltretimet që po ia bënte tani i akuzuari, e që në lidhje me këtë kishte njoftuar motrën e të ndjerës, Sh. Y., pra pas vdekjes së B. Y.” – tha gjyqtarja Lajqi.

Lajqi potencoi se veprat për të cilat i akuzuari është akuzuar janë vërtetuar nga komunikimi në mes shoqes dhe të ndjerës.

“Kjo është vërtetuar nga komunikimet në mes këtyre të dyjave në rrjetin social Instagram – komunikime këto që u administruan si prova në këtë gjykim. Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar komunikimet që ka pasur në dispozicion mes të akuzuarit dhe tani të ndjerës, ku pas një mosmarrëveshje që kishin pasur e ndjera i drejtohet të akuzuarit se do t’i tregonte babit lidhur me veprimet e tij, ndërsa i akuzuari përgjigjet ‘Veç guxo, veç guxo’. E, pastaj plason me sharje dhe ofendime të rënda në drejtim të të ndjerës. Ndërsa, kur është pyetur në lidhje me këto komunikime, i akuzuari në deklaratën e tij në Polici pranon se ka kanosur të ndjerën edhe më herët dhe thotë se nuk ka qenë diçka serioze pasi këtë e ka bërë me qëllimin që të mos bëhet e madhe te familjarët.” – tha Lajqi.

Tutje, në Vendim thuhet se “vetë i akuzuari ka deklaruar se e ndjera B. Y. edhe më herët kishte shfaqur shqetësime se është duke e menduar vetëvrasjen. Për këtë Gjykata të akuzuarin e bën përgjegjës, pasi që ka qenë në dijeni për gjendjen jostabile të së ndjerës dhe përkundër kësaj, pra, ka ushtruar presion ndaj saj. Deri kur e njëjta ka ardhur në atë gjendje, sa të kryejë vetëvrasje”.

“Këto prova, rrethana në lidhje me rrethanat e tjera të përmendura më sipër nuk kanë ndonjë interpretim tjetër, se e ndjera B. Y., aktin e vetëvrasjes e ka kryer duke qenë pra e shtyrë nga i akuzuari”.

Me dënimin prej 4 vjetësh për të akuzuarin L. Sh., avokati i familjes së të ndjerës, Shyqyri Syla për KALLXO.com ka thënë që e konsideron si një Vendim të drejtë.

“Konsideroj që Vendimi i marrë sot që është shpallur fajtor personi, që ka shtyrë në vetëvrasje tashmë të ndjerën është i drejtë. Më në fund, ai është shpallur përgjegjës dhe sigurisht që familja do të ndjejnë veten më të qetë. Dhe, konsiderojmë që Vendimi i parë ka qenë i padrejtë.” – është shprehur për KALLXO.com, avokati Shyqyri Syla.

Aktivisti i shoqërisë civile në Mitrovicë, Mehmet Salihu në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se edhe pse është Vendim i vonuar, është i qëlluar.

“Vendimi i Gjykatës përtej kësaj është shumë i vonuar, por i qëlluar. Kemi lobuar e jemi munduar që në fakt sa më shpejt me u marrë ky Vendim. Jemi munduar që të bëjmë më të mirën për këtë rast dhe në fund mundem me thanë që triumfoi drejtësia.” – ka thënë aktivisti Mehmet Salihu.

Por për këto akuza, më 16.10.2023, Gjykata e Mitrovicës kishte liruar nga akuza të pandehurin L. Sh., se nuk kishte ekzistuar dyshim i bazuar se në atë periudhë kohore nga data 30.12.2021 deri më datën 08.09.2022, në një fshat të Mitrovicës, me sjelljet dhe veprimet e tij ka nxitur persona të tjerë për të kryer vetëvrasje, gjegjësisht të fejuarën e tij.