Kanë kaluar 216 ditë, Apeli ende nuk ka vendosur në rastin e shënjestruar ‘Kristali’

 

Gjykimi ndaj grupit të Tunë Kqirajt, i njohur si rasti ‘Kristali’ gjendet nga 9 shtatori 2019 në Gjykatën e Apelit me ankesë të prokurores së rastit Merita Rugova dhe avokatëve të të akuzuarëve.

Nga 9 shtatori 2019 e deri sot kanë kaluar 216 ditë apo 6 muaj e 24 ditë dhe  Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim lidhur me këtë çështje penale.

Rasti ’Kristal’ është njëri ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Të akuzuar në këtë rast janë Tunë, Marjan, Gjekson, Gëzim, Kastriot e Gjon Kqira, Edison Oma dhe Benson Buza të akuzuar për veprat penale krim i organizuar lidhur me veprat penale organizim i skemave piramidale dhe bixhoz te paligjshëm, detyrim, fajde, armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prizrenit me 24 maj 2019, kishte marrë aktgjykim dënues me të cilin Tunë Kqirajn e kishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim për veprën penale organizim i skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm.

Tunë Kqira me 1 mijë e 500 euro gjobë ishte dënuar për veprën armëmbajtje pa leje.

Kastriot Kqiraj ishte dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale të fajdesë dhe  me 1 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Gjon Kqiraj ishte dënuar me 2 vjet e 5 muaj burg për veprën penale organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm dhe me 1 mijë e 500 euro dënim me gjobë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Gjekson Kqira u dënua me 8 muaj burgim për veprën penale të fajdesë.

Gëzim Kqira u dënua me 5 muaj burgim për veprën penale të fajdesë.

Marjan Kqira, u dënua me gjobë 1 mijë e 500 euro për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Benson Buza, u dënua me 2 vjet e 5 muaj burgim për veprën penale të detyrimit ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro.

Besfort Oma u dënua me 2 vjet e 5 muaj për veprën penale të detyrimit.

Të akuzuarit Gjon Kqira dhe Marjan Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale krim i organizuar lidhur me veprën penale detyrim si dhe në lidhje me veprën fajdeja.

Kastriot Kqira, Benson Buza, Gjekson Kqira dhe Gëzim Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale krim i organizuar.

Të akuzuarit Tunë Kqira, Kastriot Kqira, Benson Buza dhe Marjan Kqira dhe Gjon Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale shpëlarja e parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.