Kandidatët që dështuan në testin për t`u bërë noterë, kalojnë testin për t`u bërë gjykatës

35 nga 127 kandidatët që e kaluan testin kualifikues për gjykatës kishin dështuar të bëheshin noterë. Me 17 nëntor 2019, 306 personave iu dha mundësia që t’i nënshtrohen testit kualifikues për gjykatës.

Testi kualifikues për gjykatës u mbajt me datë 17 nëntor 2019, në objektin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Zhvillim në Vushtrri.

Nga 306 persona të cilët aplikuan për këtë pozitë dhe të cilët fituan të drejtën themelore për t’iu nënshtruar testit kualifikues për gjykatës, 127 kandidatë e kanë kaluar këtë test.

KALLXO.com ka bërë një krahasim në mes të kandidatëve që e kanë kaluar testin kualifikues për gjykatës me listën e kandidatëve që kanë aplikuar për noterë.

Kujtojmë se lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik lidhur me dyshimet se pati konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes së noterëve.

Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Por pas hetimit, AKK ka doli me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.

Megjithatë Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt si dhe Zyra e BE-së në Kosovë, i kishin bërë thirrje qeverisë në largim që mos emëroj asnjë noter deri në emërimin e qeverisë së re.

BE: Mos të emërohet asnjë noter deri në krijimin e qeverisë së re

Nga krahasimi që kemi bërë në mes të kandidatëve që e kanë kaluar testin kualifikues për gjykatës me listën e kandidatëve që kanë aplikuar për noterë arritëm të kuptojmë se ekziston një numër i konsiderueshëm i kandidatëve të cilët e kanë kaluar testin kualifikues për gjykatës, por të njëjtit para disa muajve nuk arritën ta kalonin provimin me shkrim për noterë.

18 prej këtyre kandidatëve të cilët e kanë kaluar testin kualifikues për gjykatës nuk kishin arritur ta kalonin provimin me shkrim të noterisë.

Bekim Kryeziu, Berkan Hamza, Besnik Sheqiri, Bujar Fusha, Florid Hasku, Gëzim Plakaj, Ilirjana Hashani, Jeton Koca, Kushtrim Kastrati, Muhamed Abdyli, Naim Aliu, Osman Sejdiu, Petrit Nrecaj, Sabrije Abazi, Sadik Lekiqi, Sali Topalli, Vjollca Kurtishaj dhe Vlora Selmani, të cilët e kanë kaluar testin kualifikues për gjykatës, pesë muaj më parë nuk arritën ta kalonin provimin me shkrim për noterë.

Shumë afër për t`u bërë noterë ishin edhe kandidatët Ajet Hoxha, Arben Toska, Behar Avdyli, Lumnije Shkodra e Ramadan Bunjaku, këta pesë kandidatë e kaluan provimin me shkrim për noterë por nuk arritën ta kalonin provimin me gojë.

Ndonëse për pak nuk arritën të bëheshin noterë të njëjtit kanë aplikuar për t`u bërë gjykatës dhe e kanë kaluar fazën e parë të testit kualifikues.

Por në mesin e kandidateve të cilët e kaluan testin kualifikues për gjykatës, janë edhe 12 persona të cilët e kanë kaluar provimin për tu bërë noterë.

Arlind Sharani, Arnis Dumani, Bilbil Oruqi, Durim Balaj, Gentiana Bajraktari, Hasan Haxhaj, Ibrahim Maloku, Jeton Leci, Kreshnike Zymberi Beqiri, Nadir Shyqeriu, Riza Dembogaj dhe Vjosa Gardinaj-Maxhuani, janë kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim dhe me gojë për t`u bërë noterë por që të njëjtit kanë aplikuar për tu bërë edhe gjykatës.

Kandidatët të cilët e kanë kaluar testin kualifikues për gjykatës, ditëve në vijim do t’i nënshtrohen intervistës me gojë dhe procesit të vlerësimit të integritetit personal dhe aftësive  profesionale.

Listën e plotë të kandidatëve të cilët e kaluan testin kualifikues për gjykatës mund ta gjeni duke klikuar në këtë link.