Kaçanikasi i akuzuar për kokainë e para të falsifikuara, pranon fajin vetëm për paratë false

Suad Strazha, i cili akuzohet për falsifikim të parave dhe shitje të narkotikëve, e ka pranuar fajësinë për paratë false, por jo edhe për dy qeset me kokainë.

I njëjti para gjykatësit Ibrahim Idrizi në Gjykatën e Ferizajt u deklarua se për veprën e parë të falsifikimit të parave e pranon fajësinë, ndërsa për të dytën jo.

“Për paratë e pranoj, sepse më janë gjetur në shtëpi. Ndërsa për narkotik nuk është e vërtetë’’, deklaron i akuzuari Suad Strazha.

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi pasi merr mendimin e prokurorit të shtetit Rasim Maloku vendos t`ia pranoj fajësinë për veprën e parë pasi që kjo vepër nuk ndërlidhet me veprën e dytë. Por me propozim të prokurorit të shtetit, kryetari i trupit gjykues vendosi që dënimin për këtë vepër ta shqiptoj pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor për veprën e dytë, për të cilën i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Mbrojtësi të akuzuarit, avokati Visar Musa deklaroi se i mbrojturi i tij pranimin e fajësisë e ka bërë në mënyrë vullnetare, si dhe shtoi se klienti i tij ndihet i penduar.

I pandehuri ishte në paraburgim, ndërsa gjykatësi Idrizi, vendosi që këtë masë ta zëvendësoj me arrest shtëpiak pasi që sipas tij kanë pushuar arsyet për të cilat kjo masë është ngritur.

Suad Strazha akuzohet nga Prokuroria se me datë 25 qershor 2019 rreth orës 15:00 në shtëpinë e tij në Kaçanik ka poseduar paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë edhe pse e ka ditur se është e falsifikuar në atë mënyrë që me rastin e kontrollës në shtëpinë e tij, në rrobat e tij janë gjetur tridhjetë e pesë kartëmonedha nga 100 euro, të cilat janë sekuestruar.

Sipas Prokurorisë me të njëjtën datë i akuzuari ka poseduar substancë të narkotikut të llojit kokainë me qëllim shitje dhe shpërndarje dhe pas kontrollit në shtëpinë e tij nën tjegullat e shtëpisë së komshiut, e cila ishte e ngjitur me terrasën e të pandehurit është gjetur një qese plastike në të cilën ka pasur substancë narkotike të llojit kokainë me peshë neto 6.69 gram, si dhe brenda qeses së njëjtë një copë qese plastike me substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 0.29 gram, të cilat janë sekuestruar nga policia.