Foto: KALLXO.com

Jepet fjala përfundimtare në gjykimin e ish-zyrtarit të Malishevës, Prokuroria kërkon dënimin e tij

Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare të ish-shefit të Shërbimeve Publike të Komunës së Malishevës, Ismet Mazreku, sot u dha fjala përfundimtare.

Mazreku po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim me kabllo elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.

Prokurori Ramiz Buzhala në fjalën e tij përfundimtare tha se  nuk duhet falur besimi të akuzuarit, sepse deklaratat e tij janë kundërthënëse me akuzën. Ai kërkoi të dënohet i akuzuari.

Ndërsa përfaqësuesi i Komunës së Malishevës, Mujë Sahitaj, tha se në momentin që vërtetohet aktakuza, ata si Komunë do ta paraqesin vlerën e kompensimit të dëmit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Emrush Kastrati, kërkoi nga Gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza në mungesë të provash.

Edhe i akuzuari i tha disa fjalë.

“Ka mund të jetë pakujdesi fakti që nuk e kam fotografu kabllon, mirëpo unë për këtë fakt jam njoftu vetëm kur më ka thirrë Prokuroria, e për me e keqpërdor atë kabëll ka mund ta keqpërdor vetëm KEDS-i ose firma ‘Leoni’”, deklaroi i akuzuari Ismet Mazreku.

I pandehuri akuzohet se ka pranuar kabllo të tensionit të ulët ndërsa kablloja ka qenë dashur të vendoset e tensionit të lartë, sipas shkresës së raportit.

Ndërkaq, gjykatësi Nikollë Komani, i ndihmuar nga anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, caktuan datën 20 janar për shpalljen e aktgjykimit.

Muajin e kaluar, i akuzuari kishte dhënë mbrojtjen e tij.

Ish-zyrtari i komunës së Malishevës qan në gjykatë

Ish-shefi i Shërbimeve Publike në Malishevë, po akuzohet se hapi tender për një kabllo elektrike që nuk u vendos asnjëherë në fshatin e paraparë.

KEDS-i gjithashtu pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës dhe se ky investim nuk është i Komunës.

Tenderi i Komunës për kabllo kalon vlerën 8 mijë euro.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Gjykimi për keqpërdorim me kabllo elektrike, dëshmon eksperti  

Një seancë ishte shtyrë për shkak të mungesës së një dëshmitari.

Shtyhet seanca ndaj zyrtarit të komunës së Malishevës

Në seancat e kaluara kishin dëshmuar ish-drejtori u KEDS-it, Agnez Furra dhe dëshmitarë të tjerë.

Gjykimi për kabllon që e siguroi KEDS-i, e njëjta ishte blerë edhe me para të komunës

Në këtë rast, KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër Komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.

Projekti kishte filluar me tela të zhveshur, por kur ka arritur në lagjen Begaj të Banjës, banorët kanë protestuar dhe pastaj është vendosur kabllo e veshur.

Gjykimi i zyrtarit të Komunës së Malishevës, dëshmitari: Kablloja kontestuese është e KEDS-it

Një seancë tjetër e këtij gjykimi kishte dështuar të mbahej për shkak të mosprezencës së të akuzuarit.

Dështon seanca për keqpërdorim ndaj ish-shefit të shërbimeve publike në Malishevë

Në këtë gjykim kishte dëshmuar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Dëshmia e Ragip Begajt në akuzat për korrupsion në Malishevë

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.